Pacolli: Hoti po bllokon ndërtimin e parkingut nëntokësor te Filologjiku

Prishtina

Pacolli: Hoti po bllokon ndërtimin e parkingut nëntokësor te Filologjiku

Më: 29 maj 2017 Në ora: 14:52
Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, tha se ky projekt po bllokohet nga ministri i Financave Avdullah Hoti.

Qeverisja e Komunës së Prishtinës po e bënë fajtor ministrin e Financave në detyrë, Avdullah Hotin për mos realizimin e projektit për parkingjet nëntokësore tek Fakulteti Filologjik.

Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, tha se ky projekt po bllokohet nga ministri i Financave Avdullah Hoti. 

Por, sipas saj kjo nuk është hera e parë, pasi që bllokimi i projekteve madhore të komunës së Prishtinës kanë ndodhur që nga fillimi i qeverisjes së Vetëvendosjes.

Pacolli: Bllokimi i projekteve të mëdha në Komunën e Prishtinës nuk është gjë e re

“Ndërtimin e projektit të parkingut nëntokësor pranë Fakultetit Filologjik e cila po vazhdon të bllokohet nga ministri i Financave në largim dhe njëkohësisht edhe kandidati për kryeministër nga radhët e partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bllokimi i projekteve të mëdha në Komunën e Prishtinës nga niveli qendror, përkatësisht nga partitë të cilat bashkë qeverisen viteve të fundit nuk është gjë e re. Pra, ajo ka vazhduar qysh nga fillimi i mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Shpend Ahmeti këtu në komunën e Prishtinës dhe vazhdon të bllokohet ende edhe pse tash kjo qeveri është në ikje e sipër”, tha ajo.

Sipas saj, dy partitë e ish- koalicionit qeverisës edhe pse tani janë ndarë po vazhdojnë të bllokojnë projektet e komunës së Prishtinës.

Ndërsa, drejtori i zhvillimit ekonomik, Genc Bashota, tha se Avdullah Hoti në funksion të udhëheqësit të Komitetit të partneritetit publiko-privat është duke e bllokuar projektin për parkingun nëntokësor qe 5 muaj.

Bashota: Mendohet të ndërtohen 500 parkingje nëntokësore

Kemi filluar së pari me këtë projekt të parkingut nëntokësor pranë fakultetit filologjik, ku mendohet të ndërtohen 500, minimum 500 vend parkingje nëntokësore, një numër i vogël i lokaleve dhe sipas vlerësimeve fillestare projekti kap vlerën afërsisht 12 milion euro. Siç e kërkojnë procedurat ne i kemi dërguar të gjitha dokumentet përkatëse në njësinë e departamentit qendror e cila gjendet në kuadër të Ministrisë së Financave. Ajo njësi ka afat një muaj që ti analizoj, në ndërkohë ata kanë bashkëpunuar me ne, bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë kanë dhënë sugjerimet të cilat i kemi diskutuar dhe jemi dakrorduar për to dhe më pastaj e dërgon në komitetin e partneritetit publiko-privat në të cilin janë pesë ministra në krye me ministrin Hoti”, tha ai.

Sipas tij, pasi që njësia e departamentit qendror ka dërguar rekomandime, komiteti ka filluar me obstruksione  të cilat po vazhdojnë që pesë muaj.

Bashota: Nga mbledhja e fundit kanë kaluar 50 ditë e gjatë procesit kanë kaluar 5 muaj

“Ligji për partneritet publiko-privat kërkon që brenda 30 ditëve ky komitet duhet të përgjigjet me një përgjigje që e ka aprovim apo refuzim. Prej mbledhjes së fundit kanë kaluar 50 ditë e gjatë procesit kanë kaluar 5 muaj, do të thotë është një shkelje e tejskajshme e të gjitha kompetencave të nivelit ministror”, tha ai.

Sipas tij, e gjithë kjo po ndodh se vetëm se ata nuk e kanë udhëheqjen e qytetit të Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat