Ymeri në Prishtinë: Lëvizja po na lëviz përpara, me mendje me zemër

Prishtina

Ymeri në Prishtinë: Lëvizja po na lëviz përpara, me mendje me zemër

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 18:55
Visar Ymeri

Në tubimin e mbajtur të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, ku u prezantuan kandidatët për Kuvendin Komunalë të kësaj komune, Kryetari Visar Ymeri theksoi se në këtë fushatë zgjedhore VV është duke hyrë si subjekti më i madh politik në Republikën e Kosovës, e edhe në Prishtinë.

“Asnjëherë më parë në historinë elektorale të Kosovës e Prishtinës nuk e gjen dot një subjekt me kaq shumë vota sa VETËVENDOSJE!. Kur protestonin në rrugë, na thanë kur të vini në Kuvend do të bëheni si ne. Ne hymë në Kuvend por si ata nuk u bëmë. Madje e begatuam Kuvendin si kurrë më parë. Atëherë na thanë se kur të vini në qeverisje, do të korruptoheni e korruptoni si ne. Ne qeverisim në Prishtinë me Shpendin tash e 4 vite. Por nuk u bëmë kurrë si ata. Madje e transformuam Prishtinën si kurrë më parë”, tha Ymeri në këtë tubim.

Ai shtoi se VV gjatë ecjes së saj e ka dëshmuar se qëndrueshmëria konceptuale e ndershmëria politike jo që janë të mundshme, por edhe të domosdoshme, duke e quajtur këtë të vetmen mënyrë për t’i bashkuar njerëzit, me ç’rast mori shembull zgjedhjet e 11 Qershorit. Ymeri iu shprehu mirëseardhje edhe dy aktivistëve të rinj që i janë bashkuar VV’së.

“Shfrytëzoj rastin sonte t’u uroj mirëseardhje Petrit Bicajt që ishte kryetar i nëndegës në Ulpianë të LDK-së dhe anëtari i kryesisë së të njëjtës nëndegë, Ferki Çitakut, që i janë bashkuar këtij rrugëtimi tonë në Lëvizje. Petrit, Ferki mirëseerdhët”, u shpreh Ymeri.

“Kjo është Lëvizja VETËVENDOSJE!: Njëkohësisht edhe politikë edhe emancipim.

Edhe përfaqësim i popullit edhe përfytyrim i së ardhmes. Edhe ekzekutiv pushteti edhe përbashkim qytetarësh. Lëvizja po na lëviz përpara, me mendje me zemër. 

E me këtë listë të mrekullueshme për asamble, e me Shpendin në krye Prishtina po merr krahë. Duke i votuar këta kandidatë, nuk votoni disa zotërinj parasite që mezi presin të ulen në karrigen e butë, por votoni aktivistët punëtorë që janë gjithnjë në këmbë, gati për të shërbyer”, shtoi tutje kryetari Ymeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat