Ahmeti premton tregun e ri të gjelbër

Prishtina

Ahmeti premton tregun e ri të gjelbër

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 15:54
Ahmeti

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, duke shpalosur një pjesë të planit qeverisës për katër vitet e ardhshme, ka premtuar krijimin e një ndërmarrje publike komunale, si dhe krijimin e një tregu të ri të gjelbër i cili do të ketë 87 ari tokë duke përfshirë 4 mijë metra katror të hapësirave për dyqane.

Gjatë një konference për media, Ahmeti tha se në këtë hapësirë nuk do të preken drunjtë e vjetër dhe pjesët e gjelbërimit që ndodhen në atë hapësirë.

Ahmeti: Do të krijojmë tregun e ri të gjelbër

 “Së fundmi kemi arritur një marrëveshje dhe AKP ka thënë që tashmë kanë nënshkruar një kontratë që do të lëvizin në një lokacion tjetër dhe kanë thënë që deri në fund të këtij viti do të largohen nga ky lokacion me ç’rast neve na e mundësojnë që ta bëjmë tregun e ri të gjelbër. Ky treg i ri i gjelbër siç e potencova është diku rreth 87 ari... Jemi duke fol për 4 mijë metra katror të hapësirave të dyqaneve, pra dyqane do të ketë rreth 4 mijë metra katror. Jemi duke biseduar për një hapësirë të tregut rreth 4 mijë metra katror dhe po ashtu në projekt propozimin tonë kemi potencuar që asnjë dru dhe asnjë pjese e gjelbërimit nuk bënë të lëvizë. Pra çdo dru që gjendet aty dhe që është dru i vjetër do të ruhet, nuk do të prekim asnjë pjesë të natyrës dhe gjelbërimit që kemi aty”, tha ai.

Ahmeti shtoi se në planin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme parasheh krijimin e një ndërmarrje publike komunale e cila do t’i përfshijë të gjitha tregjet e qytetit dhe do të mbajë emrin “Tregjet e Prishtinës”.

Për funksionimin e ndërmarrjes sipas Ahmetit do të merren bazë të ardhurat që vijnë nga shitësit.

Ahmeti: Do të krijojmë një ndërmarrje publike komunale

“Do ta krijojmë një ndërmarrje publike komunale e cila do të quhet tregjet e Prishtinës apo tregjet dhe do t’i ketë nën menaxhim tregun e gjelbër, tregun e Ulpianës, tregun e mallrave me shumicë, tregun e makinave dhe tregun mobil të prodhimeve vendore. Ajo ndërmarrje do të funksionoj dhe do të mirëmbahet nga të hyrat që i merr nga shfrytëzimi i hapësirave do me thënë të shitëseve që i përdorin ato dhe po ashtu ato para do i shfrytëzojnë gjithmonë për ta rritur atraksionin për t’i rritur investimet në të gjitha këto tregje”, tha ai.

Kandidati për kryetar të  Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti tha se kanë ndarë buxhet të mjaftueshëm për funksionalizimin e tregjeve të kryeqytetit.

Ai shtoi se shumë shpejt do të ketë edhe rregullore për tregjet private.

Ahmeti: Do kemi rregullore për tregjet private

“Kemi investuar, kemi ndarë një sasi të mjaftueshme buxhetore që t’i funksionalizojmë tregjet e Prishtinës. Këto janë më së të domosdoshme dhe shumë shpejt do ta kemi edhe rregulloren për tregjet private të cilat funksionojnë në tregje të mallrave sepse nevojitet një rregullim i tyre por kjo përshkon me konceptin të cilin e kemi që Prishtinën duam ta kemi qytet në çdo lagje dhe po ashtu të kemi rregull dhe rend në çdo lagje”, tha ai.

Ahmeti tutje tha se me funksionalizmin e tregjeve të reja do të mënjanohen shitësit ambulantë të cilit shesin produkte jashtë hapësirave të tregut.

I pyetur se pse nuk është bërë zgjidhje për këto tregjet gjatë mandatit të kaluar Ahmeti u shpreh se kanë pasur prioritete tjera dhe se kjo gjë ka kërkuar financim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat