Limaj: Nisma është kthyer në shpresë për qytetarët e Kosovës

Prishtina

Limaj: Nisma është kthyer në shpresë për qytetarët e Kosovës

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 19:17
Fatmir Limaj

Nisma për Kosovën është kthyer në një shpresë për qytetarët e Kosovës, prandaj nuk duhet harruar brengat e qytetarëve të marra për një muaj fushatë. Këto ishin porositë e liderit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në përmbyllje të fushatës elektorale sot në kryeqytet.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që më 22 tetor t’i japin Nismës një fitore të fuqishme në mënyrë që t’i realizojnë premtimet dhe programin në përpikmëri. 

Limaj tha se po ndihen krenar që po kthehen në shpresë për gjithë ata zëra që nuk janë dëgjuar as në nivel lokal e as në atë qendror. 

Sipas tij, nuk ka nder me të madh se sa të jesh zëri i një pensionisti, e i një familje që nuk e ka asnjë të punësuar dhe kthehesh dhe bëhesh zëri i tyre. 

Por, Limaj pati edhe një apel për kandidatët për asamble komunale në gjithë Kosovën, që të mos i harrojnë qytetarët që u kanë folur për problemet e tyre, sepse  ata presin që ato t’i ngrisin në asamblenë komunale. 

Limaj: Neve njerëzit na vijnë mbrapa sepse na besojnë dhe këtë nuk mund ta humbim

“Gjatë vizitave që kemi pasur anë e kënd Kosovës, dëgjoni e mos i harroni ato çka na kanë thënë njerëzit. Neve njerëzit na vijnë mbrapa sepse na besojnë dhe këtë nuk mund ta humbim. Njerëzit shikojnë nga ne sepse ne e mbajmë fjalën, detyrë e juaja është ta bëni një gjë të tillë, po kalojmë nga koha e premtimeve, tash është koha e punëve. Mos harroni, nga e hëna kur do të zgjidhni si kryetar komune dhe asamblistët nuk ka më fjalë, duhet të filloj implementimi pikë për pikë i asaj që kemi folur e jemi zotuar. Njerëzit nga ne presin dhe ky është dallimi yni nga të tjerët. Nuk presin të vijnë të tregojnë si do të bëhen e si mund të bëhet...Ne jemi kthyer në shpresë për familjet të cilat kanë nevojë për mbështetje, ne jemi kthyer në shpresë për djemtë dhe vajzat e Kosovës që kërkonin një vend pune dhe ne nuk guxojmë nuk do të lejojmë që ajo shpresë të thyhet, por të kthehet në realitet duke punuar for të në realizimin e objektivave tona”, tha Limaj.

Kryetari i Nismës pati një porosi edhe për nëpunësit shtetëror, ku tha që të mos gabojnë ta fyejnë shtetin e Kosovës dhe interesat e shtetit. 

Limaj: Mos gaboni ta fyeni shtetin e juaj, mos gaboni t’i fyeni interesat e shtetit tuaj 

“Porosia ime është për nëpunësit shtetëror, pavarësisht ku janë, mos gaboni ta fyeni shtetin e juaj, mos gaboni t’i fyeni interesat e shtetit tuaj, mbroni interesin e prodhuesit vendor, mbroni ekonominë e vendit tuaj ashtu siç e jep ligji, mos u bëni argat të rrënimit të ekonomisë së vendit tuaj. Mos lejoni për interesa të ngushta të shkatërroi vendin tonë, kthehuni e bëhuni siç i ka hije nëpunësit shtetëror, e ai e ka mbi të gjitha respektimin e Kushtetutës zbatimin e ligjeve të Kosovës dhe ndjenja e tij krenar obligim qytetar për ë qenë patriot i vendit të vet duke i shërbyer vendit të vet”, tha ai. 

Limaj kërkoi që edhe në këto ditë që kanë mbetur t’i sjellin një rezultat të fuqishëm në ditën e diel, pasi me Nismën nuk humbë askush, por fitojnë të gjithë. 

Kurse, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, tha se liria, drejtësia dhe solidariteti janë vlera që duhet të avancohen çdo ditë pasi sipas tij këto vlera ju duhen qytetarëve të Kosovës. 

Ndërsa, tha se shtetin e së drejtës ua kanë borxh fëmijëve të Kosovës, por që shteti i së drejtës sipas tij nuk është vetëm çështje e shtetit apo e partive politike, por është çështje e të gjithëve. 

Krasniqi, duke iu drejtuar kandidatëve për kryetar të komunave dhe kandidatëve për asamblistë tha se kundërshtarët politik nuk duhet ti trajtojnë si armiq.

Krasniqi: Kundërshtarët politik nuk janë armiq tanë

“Nisma nuk mbështet askënd dhe asnjë që nuk zbaton kulturën e komunikimit qofshin ata edhe me kundërshtarët tanë politik. Kundërshtarët politik në asnjë formë dhe asnjëherë nuk duhet ti trajtojmë si armiq, por si kundërshtar me të cilët duhet të ecim së bashku në rrugëtimin e formimit dhe të forcimit të shtetit. Për ne fitorja politike Nismës është instrumenti ynë, e jo qëllimi ynë. Ne nuk duam të luftojmë askënd, por jemi të vendosur të kryejmë misionin që Nisma i ka dhënë vetës në ndërtimin e shtetit të së drejtës, të shtetit me drejtësi sociale, shtetin që stimulon solidaritetin në mes njerëzve dhe është solidar vetë”, tha ai. 

Ai iu drejtua qytetarëve duke thënë se janë zëri i tyre në politikën kosovare, janë energjia e pashtershme e tyre, janë në shërbim të qytetarëve përjetësisht dhe se janë të vendosur për të luftuar për të drejtat legjitime që ju takojnë qytetarëve të Kosovà «s. Në këtë tubim përmbyllës pjesëmarrës ishin edhe kandidatët për kryetar të komunave dhe kandidatët për asambletë komunale.

Zgjedhjet lokale do të mbahen të dielë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat