Pacolli zotohet se projektet e premtuara do t’i implementojë gjatë mandatit të parë qeverisës

Prishtina

Pacolli zotohet se projektet e premtuara do t’i implementojë gjatë mandatit të parë qeverisës

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 12:13
Selim Pacolli

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli të premten ka shpalosur planin e tij qeverisës për kryeqytetin, përderisa premtoi se projektet më të mëdha, nëse zgjidhet kryetar do të implementohen gjatë mandatit të parë qeverisës, kurse shtoi se do të dorëzojë çelësat e një Prishtine të zhvilluar pas katër vitesh qeverisje.

 Ai këtë zotim e bëri para biznesmenëve,  të cilët i ftoi që të vlerësojnë këtë plan dhe pastaj t’iu tregojnë qytetarëve se një zhvillim i tillë është i mundshëm, përderisa theksoi se nëse ka mbështetjen e tyre, implementimi i tij është i sigurt.

Ai premtoi ndërtimin e një qendre kulturore "pa mure", ndërtimin e stadiumit të Prishtinës, parking nëntokësor për 6 mijë makina që paraqet zgjidhje fundamentale për mbingarkesën në kryeqytet, si dhe ndërtimin e një xhamie në qendër të qytetit.

Ndërtimi i kampusit universitar, sipas Pacollit, është një nga projektet e tij të mëdha e që do të implementohet nga të hyrat e parkingut nëntokësor, ku në kuadër të kushteve dhe hapësirave moderne që do të ofrojë për të studentët, do të përfshihet edhe akomodimi i 100 mijë studentëve në konvikte. 

"Në pjesën e lart të lagjes Mat, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, do të ndërtohet kampusi universitar 'Hasan Prishtina', Universiteti i ndërtuar me standardet më të larta evropiane , i shtrirë në 220 mijë metra katrorë i përshtatshëm për të pranuar deri në 100 mijë studentë, me hapësirë dy metra katrorë për çdo student, i pajisur me të gjitha mjetet bashkëkohore, për studim cilësor, me inventarin më modern, me salla të pajisura me teknologjinë e fundit për ndjekjen e  ligjëratave, me kabinete, laboratore, teknologji informatike si dhe të gjitha pajisjet që e bëjnë këtë universitet modern...Çmimi i implementimit të këtij projekti është 143 milionë euro... dhe ky projekt do të ndërtohet pa e prekur buxhetin e Komunës së Prishtinës".

Për të gjitha këto premtime, Pacolli tha se janë vizion i atyre që e duan dhe besojnë në një të ardhme të ndritur për Prishtinën, ndërsa tha se nëse zgjidhet kryetar, në përfundim të mandatit të tij 4 vjeçar do të dorëzojë çelësat e një Prishtine moderne.

Pacolli: Plani im qeverisës do të implementohet gjatë mandatit të parë

Video”Ky është vizioni i atyre të cilët duan dhe dinë ta ndërtojnë Prishtinën. Nuk është ky vizioni i mendjeve që nuk shohin në dimensione të gjera. Nuk është ky vizioni i atyre që kanë mendje skeptike, apo të politikanëve që nuk shohin ndryshe përpos fjalëve të shumta dhe projekteve boshe.  Ky është vizioni juaj miq të dashur dhe ju biznesmen, dhe ju duhet tu tregoni politikanëve se kjo është e mundur, është e arritshme dhe implementueshme. Dhe sigurisht se kjo do të implementohet brenda mandatit 4 vjeçar. Kur të mbyllim mandatin 4 vjeçar, unë do të jem n gjendje t’i dorëzoj çelësat e Prishtinës t s ardhmes. Atëherë kushdo çoftë mbrapa nesh, i ka kornizat dhe se ku duhet të zhvillohet dhe ku duhet të zhvillohet Prishtina", tha ai.

Sipas tij, hallet e qytetarëve nuk zgjidhen pa impelemntimin e projekteve të mëdha.  E për këtë ai tha se me kryerjen e projektit ideor, inxhinieringut financiar, nevojitet vetëm vullneti i qytetarëve që me votën e tyre të përcaktojnë të ardhmen e tyre më të mirë, duke votuar për të si kryetar të Komunës së Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat