Me 100 zotime, drejt fitores së sigurt

Prishtina

Me 100 zotime, drejt fitores së sigurt

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 14:54
Dardan Sejdiu dhe Yll Hoxha

Shtabi zgjedhor i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë mbajti sot konferencë për media për t’i informuar qytetarët lidhur me ecurinë e fushatës.

Drejtuesi i shtabit, njëherësh Kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Ylli Hoxha, tha se plani jonë i paraparë për këtë fushatë është realizuar në tërësi. “Organizuam 4 tubime të mëdha në Prishtinë; 46 tubime të mesme nëpër lagje dhe fshatra; si dhe qindra tubime tjera të vogla nëpër shtëpi e lokale, duke kontaktuar kështu drejtpërdrejtë me mijëra banorë të Prishtinës. Organizuam mbi 30 aktivitete tematike ku i shtjelluam zotimet tona për mandatin e dytë, të dala nga programi “Prishtina, qytet në çdo lagje”. Zhvilluam fushatë vetëdijësuese për mënyrën e votimit, duke trokitur derë me derë në lagjet dhe fshatrat e Prishtinës”, tha Yll Hoxha.

Më tej, ai i siguroi të gjithë votuesit e Prishtinës se vullnetin e tyre të shprehur me votë do ta mbrojmë me çdo çmim. “Organizata jonë, është organizate më e madhe dhe më e fortë në Prishtinë. Kemi angazhuar dhe trajnuar mbi 800 komisionerë dhe vëzhgues; 46 ekipe mobile logjistike; ekipe të raportimit dhe rezultateve; që do ta mbrojnë secilën votë, të secilit qytetar të Prishtinës”, u shpreh Hoxha.

Nënkryetari i VETËVENDOSJE!-s Dardan Sejdiu tha se për këto 30 ditë fushatë, në secilën lagje e në secilin fshat, prezantuam programin tonë me 100 zotimet. “100 zotimet tona, të ndara në 10 fusha, janë gjithëpërfshirëse, të matshme e të realizueshme, me ndihmën e asambleistëve që do t’i kemi në Kuvendin Komunal. Nga këto tubime, e kemi parë se mandati jon i ardhshëm do të jetë mandat i plotë, me Shpend Ahmetin Kryetar Komunë, dhe me shumicë të VETËVENDOSJE!-s në Kuvend Komunal”, tha Sejdiu.

“Por, në Prishtinë në këto 30 ditë pamë edhe një fushatë tjerë: Pa program, me shpifje. Sulmet ishin të njëpasnjëshme, të koordinuara. Ishin pa asnjë bazë e asnjë fakt, ashtu siç ishin gjatë 4 viteve të kaluara në Kuvend Komunal. Si duket, vazhdojnë të punojnë bashkë. Por kjo veç ia qartësuan edhe njëherë qytetarëve të Prishtinës që VETËVENDOSJE! e ka programin, organizatën, kryetarin, ekipin, vullnetin, angazhimin dhe punën që për 4 vitet e ardhshme  ta bëj Prishtinën qytet për të gjithë, qytet në çdo lagje e në çdo fshat. Mungesa e programit qeverisës nga ana atyre, shpifjen e bën të njëjtën mundësi. E programi jonë qeverisës, është alternativa e vetme përballë shpifjeve të tyre të ulëta”, shtoi Sejdiu.

Me punë intensive, nga fundi i vitit 2013, e shpëtuam Prishtinën nga krimi e korrupsioni, dhe kështu i hapëm rrugë zhvillimit. Ua kthyem Komunën qytetarëve dhe e qeverisëm bashkë me ta. Njësoj do të vazhdojmë edhe në mandatin e radhës. Sepse Komuna është e qytetarëve, e qeverisja e VETËVENDOSJE!-s është e vetmja rrugë përpara.

Si shtab zgjedhor i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, falënderojmë të gjitha aktivistet dhe aktivistët, vullnetaret dhe vullnetarët, që u angazhuan gjatë kësaj fushate për ta përçuar mesazhin tonë tek secili qytetar i Prishtinës, për ta shpjeguar programin tonë në secilin cep të Prishtinës. Falënderojmë qytetarët e Prishtinës për mbështetjen e madhe gjatë kësaj fushate, duke na siguruar kështu për fitoren e madhe të 22 tetorit!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat