Plani i Ahmetit për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Prishtinë

Prishtina

Plani i Ahmetit për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Prishtinë

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 14:01
Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti njëherësh kandidat për një tjetër mandat në krye të komunës, shpjegoi sot mënyrën se si do të zgjidhet problemi i parkingjeve në kryeqytet brenda mandatit të ardhshëm.

Ai foli konkretisht për parkingun nëntokësor afër Fakultetit Filologjik, parkingjet e lagjeve dhe parkingjet në hapësira publike, të cilat do të kenë kapacitet për parkimin e mijëra veturave brenda qytetit.

Ai tha se sa i përket parkingjeve të lagjeve,  çdo banor i lagjes do të ketë çmim simbolik për veturën e parë, ndërsa për veturën e dyte e tutje do të paguajë çmim më të lartë. Banorëve do t’iu mundësohet “vinjeta” mujore dhe vjetore, dhe kështu do të sigurohet që kufizimet që të mos aplikohen kufizimet në orare për banorë.

“Këto parkingje do të jenë të hapura edhe për vizitorë, të cilët do të paguajnë çmim të caktuar për orë qëndrimi. Ky model do të fillojë të aplikohet në pjesën e parë të vitit 2018”, ka thënë Ahmeti.

 Ndërsa për parkingjet në hapësira publike Ahmeti tha se do të jenë me pagesë dhe me kufizime kohore.

“Zona 1 (në qendër) do të ketë kufizim kohor 2 orësh për parking, dhe çmim më të lartë të pagesës; Zona 2 (në lagjet e mëdha) do të ketë kufizim kohor 3 orësh për parking, me çmim më të lirë. Janë bërë gati kontratat me telefonitë mobile, ashtu që pagesat të kryhen për sms-ve”, ka shpjeguar Ahmeti.

 E për parkingun nëntokësor Ahmeti është zotuar se do të ndërtohet tek Fakulteti Filologjik, me kapacitet për parkimin e deri 900 makinave.

Ky parking sipas tij, do të ndërtohet për 24 muaj, dhe kompania që do ta bëjë ndërtimin obligohet që mbi të ta ndërtojë Parkun Qendror të Qytetit.

“Kështu do të mundësohet edhe krijimi i zonës së këmbësorëve që do të lidhet me sheshin kryesor të qytetit”, thotë Ahmeti.

 Të gjitha këto hapësira të parkingut, sipas tij, do të menaxhohen nga Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat