Sot në sheshin” Zahir Pajaziti” në Prishtinë u bë hapja e festivalit Olimpik Dimëror ku përmes këtij aktiviteti qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë ta promovojnë veten në sportet dimërore.
Anëtarja e Komitetit Olimpik të Kosovës Shqipe Bajçinca-Brestovci, bëri të ditur se festivali Olimpik Dimëror promovon tri sporte: Patinazh, Kërling dhe Hokej në akull.
Bajçinca-Brestovci: Kosova në mesin e nëntë shteteve që organizon festival Olimpik Dimëror
“Sot është hapja solemne e lojërave olimpike dimërore në PyongChang të Koresë dhe Kosova ne mesin e 9 shteteve organizon festivalin olimpik ku promovohen tri sporte dimërore, patinzhi, korlingu dhe hokej në akull dhe ky është aktiviteti ku Kosova e promovon vetën dhe njëkohësisht është edhe pjesëmarrëse në lojërat olimpike dimërore ”, tha ajo.
Bajçinca-Brestovci bëri të ditur se ky aktivitet mbështetet edhe nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar i cili sjellë edhe një ekspert të sportit Hokej meqë në Kosovë mungon një profil i tillë.
Ajo ka njoftuar gjithashtu se pjesëmarrës në këtë festival mund të jenë të gjithë qytetarët që kanë dëshirë të merren me patinazh dhe është pa pagesë.
Bajçinca-Brestovci: Patinazhi i hapur prej 9 deri 25 të këtij muaji
“Të gjithë qytetarët kanë të drejt të vijnë, normal që është pa pagesë dhe ta praktikojnë sportin e patinazhit, kërling, ndërsa për sportin hokej në akull jemi duke e pritur edhe ekspertin me qenë se në Kosovë nuk kemi ekspert, kështu që pritet në vazhdim që të praktikohet edhe hokej në akull”, tha ajo.
Ky Festival u organizua për nder të lojërave Olimpike Dimërore që sot u bë hapja solemne në PyongChang të Koresë së Jugut, ku edhe Kosova është pjesëmarrëse.