Shtatorja e Ukshin Hotit ngritet në Prizren

Prizreni

Shtatorja e Ukshin Hotit ngritet në Prizren

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 13:53
Kadri Veseli, gjatë përurimit të shtatores së Ukshin Hotit në oborin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

(E plotësuar) -  Me përurimin e shtatores së intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, kanë përfunduar aktivitetet tri ditore të organizuar në nderim të veprimtarit, i cili vazhdon të jetë i zhdukur nga forcat serbe.

Këto aktivitete tri ditore janë organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren, ku edhe u mbajt një Akademi solemne. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e cilësoi Ukshin Hotin njëri nga personalitetet më të shquara të luftës për liri dhe pavarësi.  

Veseli: Ukshini ishte filozof i çështjes sonë kombëtare

“Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Ai ishte ideologu, që me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual frymëzonte këtë lëvizje. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.

Veseli: Duma drejtësi për Ukshinin

“Janë plagë që na ka lënë Serbia në familjet tona, kemi shumë njerëz ende të pa gjetur dhe krahas tyre e kemi edhe këtë ikonë të lëvizjes tonë kombëtar ende të pagjetur, Ukshin Hotin. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të dihet e vërteta për Ukshin Hotin, derisa të zbardhet e vërteta dhe derisa nuk marrin përgjigjen e merituar të gjitha ata që e persekutuan dhe e dënuam”, ka thënë ai.

Kurse, djali i Ukshinit, Andin Hoti tha se edhe pse babai i tij nuk është me ne, ai na shikon duke e bërë republikën tonë sa më të mirë.

Hoti: 28 Nëntori më i veçantë për mua dhe familjen time

“Ky është 28 Nëntori më i veçantë për mua dhe familjen time jo vetëm për faktin që kjo shtatore ndjehet çdo qytetar, në mesin e studentëve por edhe për faktin që kjo shtatore vendoset në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve.. urojë që shtatorja të jetë frymëzim për ju profesor që pa kursyer asgjë të mbroni interesat e studentëve dhe të barteni dijen tek ata, ashtu si Ukshin Hoti ka bërë disa herë”, tha Hoti.

Rektori i Universitetit, Ramë Vataj deklaroi se Ukshini ishte emër i veçantë që reduktoi deri në skajshmëri numrin e të ngjashmëve.

Vataj: Hoti kishte pastërti morale

“Pastërtia morale e veprimit shoqëror të profesor Ukshinit përcaktonte shkallën e angazhimit të sinqertë e të përkushtuar të të tjerëve rreth tij....ishte nxitës i vullneteve për të lëvizur, krijuar dhe ndihmuar, ishte shpalues i denjët i kulturës tonë për pavarësi dhe si paralajmërues i besueshëm i së ardhmes të cilën vet nuk e arriti”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja tha se veprimtaria e tij është një gurthemel i lirisë dhe pavarësisë që e gëzojmë së bashku.

Muja: Ukshini dhe të tjerët punuan që fëmijët të jenë të lirë

“Luftëtarët e lirisë, profesorët, intelektualët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare shqiptare me në krye Ukshin Hotin janë përballur me regjimin gjakatar serb që sot fëmijët e Kosovës, studentët në bankat e dijës të mësojnë dhe punojnë në shtetin e tyre të lirë dhe të pavarur “, tha ai.

Ai shtoi se veprimtarët dhe mendjendritur si Ukshin Hoti kanë lindur për të mos vdekur kurrë. Pas kësaj akademie është zbuluar shtatorja e Ukshin Hotit, e cila ka ardhur si iniciativë e studentëve

Veseli: Ukshin Hoti, ikonë e lëvizjes sonë kombëtare

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka përuruar sot shtatoren e Ukshin Hotit në oborin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se ndihet i nderuar, që sot, në këtë vend të edukimit të brezave të ri, po përuron shtatoren e njërit prej personaliteteve më të shquar të luftës për liri dhe pavarësi.

“Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.
Ai ishte ideologu, që me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual frymëzonte këtë lëvizje. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit ka thënë se në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, kur shumë kush e zgjodhi heshtjen dhe mbylljen e syve, Ukshin Hoti ngriti zërin e protestës dhe kundërshtimit.

“Ngriti zërin e protestës, sepse besonte fuqishëm se dija dhe intelektuali kanë kuptim vetëm duke qenë në shërbim të lirisë, dinjitetit njerëzor e kombëtar. Dhe Ukshin Hoti i qëndroj deri në fund këtij besimi. U përpoqën ta joshin me poste, por nuk e bën dot ideolog të sistemit. E burgosën, por nuk ia thyen dot përcaktimin intelektual e kombëtar”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Ai ka thënë se Ukshin Hoti ndoqi rrugën e Hasan Prishtinës.

“Ashtu si Hasan Prishtina, ai në vend të posteve zgjodhi rrugën e disidencës”, ka thënë Veseli. Amensty International, në vitin 1983 e kishte shpallur Ukshin Hotin të burgosur të ndërgjegjes. Në këtë mënyrë, Veseli tha se emri i tij iu bashkua listës së gjatë të disidentëve që po luftonin për liritë njerëzore gjithandej botës komuniste.

“Në vitet ‘90 kur lëvizja jonë kombëtare po përgatiste formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin. E izoluan, sepse e dinin shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, përsëri dështuan. Dështuan, sepse tashmë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.

“Janë më mijëra qytetarë të pagjetur Kosovës, për fatin e të cilëve ende shteti serb nuk jep përgjigje se ku janë. Në mesin e tyre është edhe profesori Ukshin Hoti. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të dihet fati i tyre dhe të vendoset drejtësia për ta dhe për Ukshin Hotin”, ka thënë ai.

Kreu i Kuvendit ka thënë se duhet të punojmë shumë, pa u lodhur asnjëherë, për ta forcuar shtetin, për ta zhvilluar ekonominë dhe për t’i fuqizuar universitetet tona, në mënyrë që t’iu krijojmë perspektivë të sigurt të rinjve tanë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat