Komuna e Prizrenit: I vendosëm veç 3 flamuj të Turqisë, nuk u japim rëndësi reagimeve

Prizreni

Komuna e Prizrenit: I vendosëm veç 3 flamuj të Turqisë, nuk u japim rëndësi reagimeve

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 16:34
Komuna e Prizrenit

Komuna e Prizrenit, një ditë pasi vendosi flamurin turk si dekor për festimin e 28 Nëntorit, ka arsyetuar vendimin e saj. Ndonëse, u konsiderua veprim skandaloz, në Komunën që drejtohet nga Ramadan Muja thonë se nuk u kanë dhënë fort rëndësi këtyre reagimeve qytetare. 

Vendosja e flamurit turk në Prizren, përkrah atij kuqezi që të hënën feston 104-vjetorin e shpalosjes së tij, dyshohet se nxiti disa persona që t’i largonin vetë nga shtyllat ku ishin vendosur, e disa të tjerë ta sulmonin me koktej molotovi, po në këtë ditë konsullatën e Turqisë, që ndodhet në këtë qytet. 

Megjithatë, Komuna e Prizrenit vazhdon t’i qëndrojë mbrapa këtij veprimi, ani pse reagimi qytetar ishte i menjëhershëm, me t'u shfaqur flamuri turk në qytetin e prizrenasve në prag të festimeve për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar. 

Zëdhënësi i kësaj Komune, Ymer Berisha,  tregoi se vendosja e flamujve të shteteve mike të Kosovës, që nga paslufta, ka qenë traditë në këtë qytet. Ai tha se komisioni për hartimin e agjendës festive të 28 Nëntorit në Prizren, ka vlerësuar se këtë vit, krahas flamurit kombëtar, atij të Kosovës, në disa vende duhet të qëndrojë edhe ai i SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë e edhe Turqisë. 

Madje, sipas tij, sasia e vendosjes, më e vogla, e flamujve, ishte e atij turk.  

“Janë vendosur 5 flamuj amerikanë, 5 britanikë, 5 gjermanë dhe 3 flamuj turq, përfshirë këtu edhe vendosja e flamurit të këtij shteti në konsullatën e Ambasadës turke në Prizren”, tregoi Berisha. 

Ky zëdhënës thotë kanë parë reagimin qytetar, pas vendosjes së këtyre flamujve, por s’i kanë dhënë fort rëndësi. 

“Kemi parë reagimin, por ne me të thënë të drejtën nuk i kemi dhënë fort rendësi për arsyeje se janë të ndikuara”, tha për Express zëdhënësi i Komunës së Prizrenit.

Tutje, Berisha nuk ka pranuar të komentoi gjatë as sulmin me koktej molotovi ndaj konsullatës turke që ndodhi mëngjesin e të hënës në Prizren.

“Komuna e konfirmon sulmin në Konsultën turke në Prizren, por meqë kjo është kategori e organeve të hetuesisë dhe gjyqësorit në përgjithësi, ne jemi të rezervuar nga komentet e tyre derisa ata të dalin me ekspertizë të saktë lidhur me rastin”, tha ai. 

Sulmin në fjalë e ka konfirmuar të hënën edhe Policia e Kosovës, me ç’rast ka njoftuar se ka arrestuar 5 persona në lidhje me këtë rast.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat