Pacolli vizitë Rahovecit, flet me qytetarë për rritje të prodhimtarisë

Prizreni

Pacolli vizitë Rahovecit, flet me qytetarë për rritje të prodhimtarisë

Më: 31 mars 2017 Në ora: 12:31
Behgjet Pacolli gjatë vizitës në Rahovec

Kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli këtë të premte në kuadër të takimeve me biznese dhe qytetarë të Kosovës, i shoqëruar nga bashkëpartiakët e tij ka vizituar Rahovecin ku është takuar me qytetarë, veprimtarë nga fusha e biznesit si dhe ka vizituar shoqatën për kujdes ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hareja”.

Vizitën e tij lideri i AKR-së e ka nisur në fabrikën e pajisjeve për nxemje dhe ftohje “Osa Termo Sistem”, fabrikë kjo e cila deri tash ka punësuar 60 persona, të cilët janë të angazhuar në sektorin e prodhimtarisë, njofton AKR.

Duke u njoftuar në detaje me veprimtarinë e kësaj fabrike, Pacolli ka theksuar se me ardhjen në pushtet të AKR-së, do të fillojë të zbatohet programi ekonomik që krijon mijëra vende pune.

Ai ka shtuar se Aleanca Kosova e Re, e ka planin e gatshëm për krijimin e platformave agroekonomike dhe komplekseve industriale.

“Ky është momenti i ideatorëve të zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të punësimit”, ka thënë Pacolli duke e përsëritur se mandati i AKR-së në qeveri do të fokusohet tek zhvillimi ekonomik i vendit.

Më pas ai ka vazhduar vizitën e tij tek shoqata e përkujdesit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hareja”.

Pacolli përgëzoi kujdestarët e këtyre fëmijëve për punën dhe kontributin e tyre të trajtimin e rasteve të tilla, duke theksuar se institucionet vendore janë të detyruara që të ofrojnë më shumë në aspektin e kujdesit dinjitoz dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës e posaçërisht ndaj rasteve të veçanta si këto.

Numri një i AKR-së më vonë ka mbajtur edhe një fjalim para qindra qytetarëve të Rahovecit të cilët ishin tubuar për ta përcjell këtë vizitë të Pacollit në qytetin e tyre.

Pacolli e përfundoi vizitën e tij në Rahovec, duke biseduar me qytetarë  për platformën bujqësore të Aleancës Kosova e Re si dhe fuqizimin e fermerëve dhe ndihmën që duhet t’i ofrohet bizneseve për t`ju ndihmuar atyre në rritjen e prodhimtarisë vendore.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat