Komuna e Prizrenit kërkon hetime ndaj zyrës ligjore të Ministrisë së Mjedisit

Prizreni

Komuna e Prizrenit kërkon hetime ndaj zyrës ligjore të Ministrisë së Mjedisit

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 13:58
Foto

Komuna e Prizrenit përmes një njoftimi për media e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në lidhje me intervenimin në qendrën tregtare, në ndërtim e sipër, në rrugën Tirana.

Sipas kësaj komune, këto veprime kanë prapa qëllim që të bëhet amnistimi i keqqeverisjes së dhjetë viteve të fundit në Prizren.

“Zyra ligjore e MMPH-së në disa raste të fundit ka vepruar njëanshëm kundrejt vendimeve të Komunës së Prizrenit, duke tentuar të amnistojë keqqeverisjen e shkaktuar në dhjetëvjetëshin e fundit”, thuhet në një pjesë të kumtesës.

Komuna po ashtu ka ftuar organet e rendit që të hetojnë këtë zyrë për ndërhyrje në vendimet e Komunës.

Reagimi i plotë i Komunës së Prizrenit:

Disa vendime te njëanshme të Zyrës Ligjore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mbrojtje të palëve që kanë bërë shkelje të ligjit, janë të pazbatueshme dhe e dëmtojnë interesin publik.

Kjo Zyrë ka intervenuar në disa raste kur Komuna ka tentuar të zbatojë ligjin dhe rendin në sektorin e ndërtimit, duke iu mundësuar palëve që t’i vazhdojnë veprimtaritë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Rasti i fundit ka të bëjë me intervenim në qendrën tregtare, në ndërtim e sipër, në rrugën Tirana, për parregullsitë e së cilës opinioni është informuar në vazhdimësi. Para se të merrej vendimi me rrënim nga ana e inspektoratit, janë shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore dhe është vepruar konform ligjit, ndërsa palës i është ofruar  revidimi i lejes për pjesën tjetër të objektit.

Përkundër se në procesverbal, pala është deklaruar se do ta rrënojë vetë pjesën e objektit e cila është ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë komunale, zyrtarët e kësaj ministrie i kanë dërguar një vendim Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës, i cili e anulon vendimin ku pala ka pranuar vetë të bëjë rrënimin. Që të jetë situata më absurde, ky vendim i zyrtarëve të kësaj ministrie bazohet vetëm në një paragraf të procesverbalit dhe jo të procesverbalit në tërësi. Nxjerrja nga konteksti i një vendimi të zyrtarëve komunalë dhe mos konsultimi i palës tjetër (Komunës, në këtë rast) para se të merret vendimi, është i pazbatueshëm dhe e dëmton interesin publik. Ky vendim është marrë “sa për t’i hedhur hi syve” opinionit, ngase nuk ka bazë ligjore që mundëson mosveprimin e zyrtarëve komunalë te rasti në fjalë.

Zyra ligjore e MMPH-së në disa raste të fundit ka vepruar njëanshëm kundrejt vendimeve të Komunës së Prizrenit, duke tentuar të amnistojë keqqeverisjen e shkaktuar në dhjetëvjetëshin e fundit. 

Askush nuk dëshiron të përsëritet rasti ku një objekt mbyll një rrugë publike (sikur rasti në transitin e ri), prandaj jemi të vendosur ta zbatojmë rendin dhe ligjin në gjithë territorin tonë, pa përjashtim. Me këtë rast ftojmë organet e rendit që të fillojnë hetimet ndaj Zyrës Ligjore në MMPH për ndërhyrje në vendimet e Komunës, vendime që lënë për të dyshuar se këto janë vendime interesi. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat