Miqtë të besimit katolik nga Gjakova, kanë shtruar iftar për hoxhën Mulla Osman Musliu nga Drenasi.
Musliu ka postuar në facebook disa fotografi ku në përshkrim falënderon mikun e tij, drejtorin e shkollës së fshatit Bec nga komuna e Gjakovës, Marian Ndoja.
Postimi i plotë i hoxhës:
Sot jam mysafir në iftar tek i nderuar dhe shume i respektuari Marian Ndoja nga fshati BEC Komuna e Gjakovës njëherit Drejtori i shkollës së fshatit, mik i imi dhe familjes time. Është i besimit katolik por me të cilët kemi jetuar me shekuj në respekt reciprok dhe mbajtur lidhjet vëllazërore.
Ata te cilët fenë dhe besimin e kanë me bindje e përkushtim, dhe jo për para, interes apo kontrabandim jetojnë kësisoj pa asnjë problem. Shpresoj që të na shtohet numri i besimtarëve të sinqertë dhe mos të biem në grackën e atyre që fenë e kanë bërë para apo biznes …!?
Për ata që kohet e fundit mundohen me mish e shpirt të na ndajnë në baza fetare kjo është një përgjigjeje. Edhe pas këtij iftari Mariani mbetet katolik e unë mbetem musliman por vëllezër të vërtetë. Ndërsa respekti ndërmjet nesh është shtuar dhe vazhdon. Shpresoj që kjo traditë e tolerancës të vazhdohet edhe nga gjeneratat e reja në të ardhmen… Respekt dhe nderim për familjen NDOJA, Zoti ju nderoftë.!