Pse lëngu i freskët i frutave nuk është gjithmonë i shëndetshëm

Shëndetësia

Pse lëngu i freskët i frutave nuk është gjithmonë i shëndetshëm

Më: 19 prill 2024 Në ora: 00:23
Foto ilustrim

Kur themi lëng i freskët që del nga shtrydhja e frutave të stinës, ndodh rrallë që njerëzit ta refuzojnë. Fakti që është i freskët dhe jo i blerë në supermarket, nxirret nga frutat dhe jo nga kutitë e gatshme të dyqaneve janë mjaftueshëm faktorë për të besuar se nuk ka asgjë që nuk shkon me këto lëngje.

Por, për adhuruesit e lëngjeve të freskëta të frutave ka një lajm të keq! "Lëngu i frutave është në thelb ujë, sheqer, vitamina dhe minerale," shpjegon Jami Zimmerman, dietologe në New York City. Ajo thekson se përmbajtja e sheqerit është detaji që e bën lëngun një pije më pak të shëndetshme.

“Shtrydhja heq të gjithë përmbajtjen e fibrave të frutave, e cila ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak dhe ngopjen,” thotë Zimmerman. “Kombinimi i mungesës së fibrave dhe përmbajtjes së lartë të sheqerit krijon një pije me kalori që pihet lehtësisht dhe ndikon në marrjen e tepërt të kalorive,” vijon ajo.

Me kalimin e kohës, kjo mund të ndikojë në peshën tuaj, ndaj dhe shumë dietologë thonë se lëngu i freskët i frutave nuk është edhe aq i shëndetshëm.

Lëngu i frutave mund të shkaktojë rritje të shpejtë të sheqerit në gjak, rritje të ndjesisë së urisë dhe lodhje për shkak se sheqeri thithet shpejt nga trupi. Sigurisht, njerëzit me diabet ose problem të tjera shëndetësore duhet ta pijnë në mënyrë të moderuar lëngun e freskët të frutave. Por, askush nuk është imun ndaj rënies së frikshme të sheqerit, kështu që pavarësisht diabetit apo peshës duhet të keni kujdes në sasinë që pini çdo ditë.

Fakti që vjen nga frutat e freskëta, pse nuk është i shëndetshëm?

Këtij lëngu i mungojnë fibrat që gjenden te frutat normale, por mbart disa nga lëndët ushqyese të tjera të frutave. Pavarësisht kujdesit për sasinë, sheqerin dhe peshën, lëngu është një burim i mirë i vitaminave A dhe C, kaliumit dhe mikronutrientëve të tjerë. Sigurisht, për shkak të përmbajtjes së ujit, lëngu siguron edhe hidratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat