Uji ndihmon kundër dehidrimit

Shëndetësia

Uji ndihmon kundër dehidrimit

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 18:57
Ilustrim

Nëse gjatë nxehtësisë verore hetoni se keni dhimbje koke, ndryshim të disponimit, dobësim ose halucinacione, një gjë e tillë mund të jetë alarm se trupit tuaj i mungon uji.

Edhe pse sasia optimale e konsumimit të ujit gjatë ditës dallon nga gjinia mashkullore prej asaj femërore, një person mesatarisht në ditë duhet të pijë dy deri në dy litra e gjysmë ujë, në mënyrë që të mbajë organizmin e shëndetshëm.

Po ashtu, sasia optimale e pirjes së ujit gjatë ditës varet edhe nga gjinia, gjendja shëndetësore, temperatura e jashtme, aktivitetet fizike dhe vlerat kalorike të ushqimit.

Derisa meshkujt kanë më shumë përqindje të ujit në organizëm dhe sasia që ata duhet të konsumojnë gjatë ditës është rreth tri litra, femrat duhet të pinë 2,2 litra ujë.

Fëmijët nga mosha pesëvjeçare duhet të pinë rreth 0,75 litra, ndërsa mbi moshën dhjetë vjeç rreth një litër ujë në ditë.

Për fëmijët që pinë ujë nga shishja rekomandohet që t’i vënë kujdes përbërjes së mineraleve: kalciumit, kaliumit, natriumit, magnezit, sulfatit, klorit dhe karbonatit. Para blerjes është e rëndësishme që të shikoni deklarimin dhe të lexoni se çfarë përmban uji.

Mjekët bëjnë thirrje për kujdes gjatë përdorimit të ujit në shishe. Ata thonë se shishja asnjëherë nuk duhet vendosur në rreze të diellit, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme.

Në temperatura të larta, ambalazhi plastik lëshon metalin antimon, i cili mund të jetë i dëmshëm për organizimin e njeriut. Po ashtu, krijohet bisfenoli A, i cili ndikon në  mos balancën hormonale dhe ndërlidhet me sëmundjen e diabetit.

Kualiteti dhe sasia e ujit që pimë është shenjë e sigurt se do t’i shmangemi dehidrimit. Për të mos ardhur deri te dehidrimi, duhet pirë ujë para se të kemi etje.

Simptomat e dehidrimit mund të jenë dhimbja e kokës, letargjia, ndryshimet e disponimit, hunda e tharë, goja e tharë, urina me ngjyrë të errët, dobësia, lodhja, ngatërrimi dhe halucinacionet.

Në trupin e dehidruar vjen deri te rritja e toksinave, të cilat veshkat nuk mund t’i përpunojnë dhe t’i hedhin. Një periudhë e gjatë pa ujë të mjaftueshëm ndikon në krijimin e gurëve në veshkë dhe infeksione të shpeshta të kanaleve urinare te femrat, thonë mjekët.

Sipas tyre, te personat me sëmundje të zemrës teprica e lëngjeve në organizëm mund të jetë pengesë për punën normale të zemrës, andaj ata duhet të marrin sasi të kufizuara të ujit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat