Mos konsumoni shumë vitaminat B6 dhe B12

Shëndetësia

Mos konsumoni shumë vitaminat B6 dhe B12

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 11:46
Ilustrim

Meshkujt që marrin doza të larta të suplementeve të vitaminës B6 dhe B12 janë më të rrezikuar nga kanceri i mushkërisë, ku lidhja është më e lartë tek duhanpirësit aktualë. Sipas një studimi të fundit, rreziku është 30-40% më i lartë tek meshkujt që i marrin këto vitamina vetëm nga suplementet dhe jo nga multivitaminat apo dieta ushqimore.

Efekti duket më i madh tek duhanpirësit aktualë të cilët e tejkalojnë sasinë e rekomanduar çdo ditë për këto vitamina.

“Mendoj se këto rezultate flasin për një lidhje reciproke mes dozave të larta të vitaminës B, duhanpirjes dhe kancerit të mushkërisë tek meshkujt”, tregon autori kryesor i studimit, Brasky Theodore, epidemiolog në divizionin e hulumtimit dhe parandalimit të kancerit tek Kolegji Mjekësor Universitar Shtetëror i Ohajos.

“Nëse sheh tek shishet e suplementeve të vitaminës B …ato janë diku aty mes 50-fish nga sasia e rekomanduar çdo ditë deri në 2.100-fish”, thotë Brasky. Injektimet e vitaminës B12 janë bërë gjithashtu “modë” këto vitet e fundit”.

“Në sasi të ulëta, këto vitamina përfshihen në një sërë procesesh të rëndësishme në trup. Por, dozat e larta të këtyre suplementeve pretendohet se rrisin energjinë dhe sigurojnë përfitime të tjera të paprovuara shkencërisht”.

Studimi u kufizua vetëm tek 77 mijë njerëz nga Uashingtoni, të moshës 50-76 vjeç. Gjatë studimit u analizuan 139 raste me kancer të mushkërisë nga më shumë se 3200 meshkuj duhanpirës aktualë.

Mbi 93% e pjesëmarrësve i përkisnin racës së bardhë. Ndërsa për kancerin e mushkërisë tek joduhanpirësit u përfshinë shumë pak raste në studim. Tek femrat nuk u vu re një rritje e rrezikut të kancerit mushkërisë.

Vitamina B9, e njohur gjithashtu si folate, thuhet se nuk e rrit rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Hulumtues të tjerë kanë arritur në të tjera përfundime.

Disa studime e lidhin vitaminën B6 me rrezik më të ulët të zhvillimit të kancerit të mushkërisë, ndërsa të tjera kanë zbuluar se vitamina B12 nuk ka asnjë ndikim tek ky rrezik.

Autorët e studimit më të fundit thonë se kjo mospërputhje mund të jetë pasi këto studime i kanë bërë matjet e vitaminave B nga gjaku dhe jo nëpërmjet pyetësorëve dietik, siç kanë bërë ata. Ose mund të jetë sepse vetë kanceri i mushkërisë rrit nivelet e këtyre vitaminave në trup.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat