Kryetari i Gjykatës Penale vetë rrënon ndërtimin e vet pa leje në qendër të Shkupit

Shkupi

Kryetari i Gjykatës Penale vetë rrënon ndërtimin e vet pa leje në qendër të Shkupit

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 20:30
Pamje nga ndërtimi

Në objektin e kryetarit të gjykatës penale Shkupi 1 Vladimir Pançevski në qendër të Shkupit po punojnë mjeshtër, por jo për ndërtim, por për rrënimin e dy kateve kontestuese të këtij objekti. Investitorët, mes të cilëve edhe Pançevski, vendosën që objektin ta sjellin në gjendjen fillestare, pasi që komuna Qendër shpalli tender për zgjedhjen e kompanisë për ta prishur ndërtimin e paligjshëm.

Avokati i investitorëve nuk deshi të tregojë pse kanë vendosur ta rrëzojnë këtë pjesë pa e parë epilogun e procedurës ankimore që është duke u zhvilluar.

“Do ta shqyrtojmë epilogun nga procedura ankimore që zhvillohet kundër konkluzës dhe vendimeve të komunës Qendër. Nëse konfirmohen parregullsi në veprimin e komunës gjatë miratimit të këtyre akteve të veçanta, investitorët do të ngritin padi përkatëse kundër komunës Qendër për kompensim të dëmit, nëse del i këtillë epilogu i procedurës ankimore”, tha avokati Bllagoja Popovski.

Inspektori i komunës Qendër, Koço Stojçevski thotë se në këtë mënyrë vendimi për rrënimin e objektit pa leje po zbatohet në mënyrë vullnetare. Nëse sot dy katet kontestuese të objektit nuk do të rrënoheshin nga vetë investitorët, këtë do ta bënin kompetentët.

“Asnjë investitor, nëse bindet në atë që e thotë ankesa, nuk do ta bëjë atë që e bën për momentin, nëse ankesa e tyre ka bazë. Ata e dinë se ky ndërtim është ilegal. Vet po e prishin objektin, ndërsa ne nuk dyshojmë fare në rregullsinë e vendimit tonë”, tha Koço Stojçevski, inspektor në komunën Qendër.

Vendimi për prishjen e dy kateve kontestuese të objektit të Pançevskit ishte marrë para 10 ditëve, me arsyetimin se investitori ka të drejtë për rikonstruktim e jo për ndërtim të objektit. Skandalin për ndërtimin ilegal në qendër të Shkupit nga kryetari i gjykatës penale e publikoi Alsat M në emisionin 360 gradë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat