Ndotja e ajrit, Komunat e Shkupit pa masa kundër ndërtimeve të shumta

Shkupi

Ndotja e ajrit, Komunat e Shkupit pa masa kundër ndërtimeve të shumta

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 20:48
Ilustrim- Shkupi

Komunat e rajonit të Shkupit, edhe pse janë kompetente në menaxhimin e aktiviteteve ndërtuese në kryeqendër, nuk përgjigjen në pyetjen se a do të ndërmarrin masa për zvogëlimin ose parandalimin e ndotjes së ajrit nga punët ndërtimore, duke pasur parasysh se aktivitetet ndërtuese paraqesin një të pestën e sasisë së përgjithshme të ndotësve të ajrit.

Vetëm Komuna e Aerodromit dhe Komuna e Karposhit nëpërmjet emailit kanë dhënë njëfarë përgjigje, edhe pse jo konkretisht në pyetjen e parashtruar. Nga Aerodromi thonë se janë komuna më e gjelbër në Maqedoni me 28 metër katror gjelbërim për kokë banor, ndërsa kryetari i Komunës Karposh Stevço Jakimovski tha se nuk është e saktë se në Karposhi ka rritje të ndërtimit të objekteve.

Në shtatë vitet e kaluara Komunat e Shkupit kanë dhënë 5.600 miratime për ndërtim, gjegjësisht për ndërtimin e mbi 21 mijë staneve me hapësirë të përgjithshme prej 1.5 milion metër katror.

Komunat janë kompetente për të dhënë leje ndërtimi, por kanë edhe të drejtë ligjore edhe t’i ndalojnë aktivitetet ndërtimore. Për atë se cilat masa janë të nevojshme që Shkupi të mbetet mjedis urbanistik i qëndrueshëm në vitin 2017, diskutim mbajti organizata ekologjike “Eko-svest” dhe Asociacioni i Arkitektëve të Maqedonisë.

“Arkitektët dhe planifikuesit urban theksojnë se po ndërtohet pa plan dhe se kemi ngushtim të hapësirave publike. Të gjithë ishin dakord se është e nevojshme zgjerim i gjelbërimit urban në qytet dhe se është i nevojshme kontroll më i mirë në vendet e ndërtimit, gjegjësisht të kenë kujdes se a janë shkelur ligjet“, tha Elena Nikollovska nga “Eko-svest”.

Si masa prioritare për vitin 2017 në diskutim u theksuan: ndalimi i ndërtimit të objekteve, formimi i Ministrisë për urbanizim, revizion i ligjit për planifikim urbanistik, revizion i ligjit për gjelbërim, fond për mjedis jetësor, avancimin e komunikacionit dhe lëvizshmërinë. Ekspertët theksojnë se është e nevojshme që autoriteteve lokale t’ju merret planifikimi urbanistik dhe të transferohet në autoritet qendror.

Gjithashtu, problem i aktiviteteve ndërtuese është krijimi i mbetjeve të mbeturinave ndërtimore. Nikolla Neshkovski nga organizata ekologjike “Ekologjik” tha se mbetjet ndërtimore shpesh hidhen në deponi ilegale.

“Kemi me mijëra deponi ilegale në territorin e Maqedonisë. Në Shkup konkretisht, deponi ilegale kemi në çdo komunë, në afërsi të mjediseve urbane, kështu që nuk duhet të befasohemi prej ku na vjen ndotja, që është rezultat direkt i sektorit ndërtimor”, tha Neshkovski.

Sipas ligjit të vetëqeverisjes lokale, të gjitha Kominat e Shkupit janë kompetente për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe parandalimin e ndotjes së ajrit.

Nga Komuna Aerodrom thonë se gjelbërimin e kanë mbrojtje të madhe, por hulumtimet që janë bërë në Komunat tjera e dëshmojnë të kundërtën.

Ekipi i organizatës joqeveritare “Reaktor” ka ardhur deri te rezultatet se në vendbanimet Debar Maallo dhe Bunjakovec në Komunën Qendër në vitin 1990 ka pasur mbi 21% hapësira të gjelbra, ndërsa në vitin 2020 do të mbeten vetëm 4,5%. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat