“Aktoret nuk duhet të luajnë vetëm rolet e grave apo të dashurave”

Showbiz

“Aktoret nuk duhet të luajnë vetëm rolet e grave apo të dashurave”

Më: 15 janar 2017 Në ora: 19:29
Reese Witherspoon dhe Nicole Kidman

Reese Witherspoon dhe Nicole Kidman shpresojnë që seriali i tyre “Big Little Lies” që së shpejti do të transmetohet në HBO, do të jetë një hap i vogël drejt ndryshimeve të mëdha në Hollywood. Dëshira e tyre është që femrat të fitojnë më shumë role të rëndësishme.

Aktoret fituese të Oscarit janë producente ekzekutive të serisë që bazohet në romanin me të njëjtin emër të Liane Moriarty, ndërsa fokusi është te një grup nënash nga Monterey, e kaluara dhe e ardhmja e të cilave ndërthuren me misterin e vrasjes. Pjesë të serialit janë edhe Shailene Woodley dhe Zoe Kravitz.

“Pjesa mbresëlënëse është që të gërmosh thellë në jetën e femrave. Nuk ka pasur të bëjë me karakteristikat e mira apo të këqija, skenari ka treguar çdo spektër dhe çdo nuancë të jetës së grave”, ka thënë Witherspoon.

Kidman është shprehur se skenari ka të bëjë me gratë që e mbështesin njëra-tjetrën, gjë që për të dhe Witherspoon ishte shumë e rëndësishme.

“Është koha që në filma t’i shohim femrat ashtu si janë. Mendoj se duhet të marrë fund fakti që femrat me talent mbresëlënës luajnë rolin e gruas apo të dashurës së një mashkulli”, ka deklaruar më tej Witherspoon.

“Big Little Lies” do të fillojë shfaqjen nga 19 shkurti në HBO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat