Kush janë pesë deputetët që dorëzuan mandatin pa nisur detyrën

Shqipëria

Kush janë pesë deputetët që dorëzuan mandatin pa nisur detyrën

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 16:50
Kuvendi

Zgjedhjet e 25 prillit i “dhuruan” kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste mandatin e tretë qeverisë, duke e lënë PD dhe LSI edhe për katër vite të tjera në opozitë.

Por ndonëse qytetarët zgjodhën emrin që ata dëshironin për përfaqësim, 5 deputetë kanë dhënë dorëheqjen nga mandati pa nisur detyrën.

Sesioni i ri parlamentar do të mblidhet në 10 shtator, ku seanca nuk do të drejtohet më nga Gramoz Ruçi. Ky i fundit dha dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit në mbledhjen e Kongresit të PS duke deklaruar se nuk do të jetë më pjesë e asnjë funksioni politik. Ai tha se ka 30 vjet në politikë dhe ka ardhur koha që t’i japë fund kësaj maratone, duke premtuar se do vazhdojë të jetë një socialist i denjë dhe një gjysh i përkryer për mbesën dhe nipërit.

“Kur unë nisa këtë rrugëtim, 5-vjeçarët e 1990 sot janë 35 vjeç dhe janë këtu mes nesh, kur unë fillova këtë rrugëtim, 10-vjeçarët e 1990 sot janë 40 vjeç dhe janë këtu mes jush. Kur unë nisa këtë rrugëtim adoleshentët 15-vjeçarë sot janë 45 vjeç dhe janë këtu mes nesh, janë bërthama e Partisë Socialiste. Kam kaluar shumë sfida, jemi rrëzuar, ngritur e ringritur. Mirëpo sot ka ardhur koha që unë t’i jap fund kësaj maratone time 30-vjeçare. I falenderoj të gjithë socialistët e Fierit që më dhanë mandatin, që nuk do e mbaj më. Nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ ekzekutiv të partisë time që më ka dhënë kaq shumë në këto vite. Falenderoj Fatos Nanon dhe Edi Ramën që unë e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtor i tyre. Të falenderoj me gjithë zemër çdo socialist, se ata kanë qenë mbështetja për mua.Të falenderoj bashkëshorten time, vajzën time, djalin tim, të cilëve u kam krijuar shumë shqetësime në këto 30 vite politikë. Do të jem dhe do të ngelem një socialist i denjë dhe një gjysh i përkryer për mbesën dhe nipërit e mi”, u shpreh Ruçi.

Partia Socialiste mori 9 mandate në qarkun e Fierit, ndaj me dorëheqjen e Ruçit, mandati do t’i kalojë Mirela Pitushit, e cila ka arritur të sigurojë më shumë vota nga kandidatët që nuk arritën të ishin në listën fituese.

Një tjetër emër që deklaroi dorëheqjen ishte edhe Tom Doshi, ish kreu i PD-së. Pas shpalljes së rezultatit nga ana e KQZ, ku partia e Doshit mori 4 mandate, ai deklaroi dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike. Përmes një letre të drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai shkruan se vendimi është i parevokueshëm dhe kërkon që ta zëvendësojë mandatin e tij me të një tjetri.

Shefja e Infektivit Najada Çomo ështe një tjetër emër që dha dorëheqjen nga mandati. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, ai i cili pak ditë më parë bëri me dije se Çomo i kishte komunikuar dorëheqjen për të vijuar punë tek Spitali i Infektivit, në një kohë kur rastet e reja të infektimeve kanë pësuar një rritje.

Vendin e lënë bosh nga Najada Como sipas Kodit Zgjedhor pritet që ta zërë Mimi Kodheli.

Një tjetër emër që nuk do ulet në Kuvend në datën 10 shtator është edhe Mark Marku. Ky i fundit pak ditë më parë dha dorëheqjen nga mandati i fituar në qarkun e Lezhës, duke akuzuar Lulzim Bashën si përgjegjës për humbjen në zgjedhje.

“U largova pasi nuk kisha përputhje me drejtimin e Partisë Demokratike”, u shpreh Marku.

Vendi i lënë bosh prej tij pritet të zëvendësohet nga Elda Hoti, “tradhtarja 0” e Monika Kryemadhit e cila u strehua tek Basha.

Ndërkohë që sot një tjetër deputet i Ramës dha dorëheqjen.

Lefter Koka ka hequr dorë nga mandati i deputetit të PS në Durrës. Ai njoftoi përmes një statusi në rrjetet sociale se vendimi i tij i është njoftuar KQZ dhe Kuvendit teksa thekson se e ka përmbyllur ciklin e tij politik.

Për Kokën, rrugëtimin politik do ta vijojnë bashkëpuntorët që e bënë fitues për vite me radhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat