Si u zbulua “aksidentalisht” autori i plagosjes së Edison Begajt

Shqipëria

Si u zbulua “aksidentalisht” autori i plagosjes së Edison Begajt

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 10:49
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një aksident rrugor ka çuar në identifikimin e autorit të atentatit ndaj Edison Begaj. Ngjarja ndodhi rreth tre muaj më parë pranë shtëpisë së tij në Vlorë dhe si autor i dyshuar është shtetasi Mitri Prifti.

Menjëherë pas atentatit në orët e vona të 29 majit, 36-vjeçari Prifti është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke udhëtuar nga Vlora në drejtim të Tiranës.

Atë natë, Policia i është vënë në ndjekje një automjeti që udhëtonte me shpejtësi të lartë, shkruan Panorama. Teksa ka konstatuar se po ndiqej, drejtuesi i mjetit ka përfunduar jashtë rruge dhe më pas ka braktisur mjetin, duke u zhdukur në errësirë. Policia, sipas burimeve, dyshon se autori është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u arratisur.

Megjithatë, ai la pas makinën bashkë me provat brenda. Nga mbikëqyrja e hollësishme e mjetit nga ana e ekspertëve të Kriminalistikës, janë materiale gjenetike si qime flokësh apo shenja gishtërinjsh, me anë të të cilave është identifikuar më pas 36-vjeçari.

Të nesërmen e ngjarjes, Mitri është arratisur nëpërmjet aeroportit të Rinasit në drejtim të Italisë. Pas identifikimit si autori i dyshuar i ngjarjes, autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 29 majit të këtij viti, ku 41-vjeçari u qëllua me disa plumba sapo zbret nga automjeti i tij pranë shtëpisë në fshatin Kaninë të Vlorës. Brenda automjetit ndodheshin dy fëmijët, të cilët panë gjithçka ndodhi.

Për ngjarjen, Policia ka shpallur në kërkim shtetasi Mitri Prifti, 36 vjeç, me profesion jurist, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë. Prifti akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Mbrëmjen e 29 majit 2021, një person i veshur me uniformë Policie, i afrohet 41-vjeçarit Edison Begaj dhe pasi komunikon pak momente me të sipas filmimeve të kamerave, e qëllon me armë zjarri të llojit pistoletë.

Për fatin e mirë, Begaj arrin të mbijetojë pasi plumbat e godasin në pjesën e këmbëve. Policia thotë se prapa atentatit janë motivet e dobëta.

Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se disa ditë para atentatit, Begaj dhe Prifti ishin konfliktuar me njëri-tjetrin në zonën e Lungomares.

Sherri për arsye ende të panjohura, është zhvilluar në një lokal. Mësohet se Begaj e ka qëlluar fizikisht 36-vjeçarin. Pak ditë më vonë, ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë zjarri në tentativë për ta vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat