Studentët pa bursa, 85% e tyre nuk i kanë marrë lekët prej muajit tetor, UT: Vonesa vetëm te Ekonomiku

Shqipëria

Studentët pa bursa, 85% e tyre nuk i kanë marrë lekët prej muajit tetor, UT: Vonesa vetëm te Ekonomiku

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 14:40
Studentët pa bursa

85% e studentëve që përfitojnë bursë nuk i kanë marrë pagesat prej muajit tetor. Të premten ata dorëzuan një kërkesë në rektoratin e Universitetit të Tiranës, ku kërkuan kalimin e bursave, në të kundërt paralajmëruan se do të ngrihen në protestë.

Për rezultatet e larta në gjimnaz Rexhina duhet të përfitonte bursën e ekslencës.

Shuma është modeste, 10 mijë lekë, por do të mjaftonte për ta lehtësuar nga barra e rëndë e shpenzimeve studenten e vitit të parë të Farmacisë.

"Ndihmon se janë shpenzimet e ushqimeve, shpenzimet në kancelari."

"Personalisht e ndjej shumë të nevojshme që të kontribuoj për vendin tim por kur shoh që nuk vlerësohesh më bën ta shoh mundësinë e arsimit jashtë."

Si Rexhina janë 85% e studentëve, bursat e të cilëve janë vonuar prej katër muajsh.

Të premten studentët dorëzuan në Rektoratin e Universitetit të Tiranës një kërkesë për kalimin e pagesave në llogaritë e tyre.

"Po futemi në muajin e pestë dhe studentët nuk kanë në llogaritë e tyre as një qindarkë nga fondi që u është premtuar nga qeveria."

Rektoratit i lanë afat të mërkurën e 23 shkurtit për përmbushjen e kërkesës. Nëse bursat nuk do ti marrin do të fillojnë protestat.

"Na kërkojnë të mos largohemi nga vendi, të kemi shpresë. Si mund të kemi shpresë kur na marrin dhe lekët?"

"Nuk do ndalemi se është një e drejtë që na takon."

U desh reagimi i studentëve që Universiteti i Tiranës të sqaronte vonesat.

Në një njoftim zyrtar thuhet se bursat janë shpërndarë përveç Fakultetit të Ekonomisë për shkak se ka një numër të madh përfituesish.

"Nga 6 fakultete që ka UT, vetëm Fakulteti i Ekonomisë nuk i ka shpërndarë këto bursa, për shkak se ka një numër të madh përfituesish dhe është duke u bërë një verifikim i listës, vonuar edhe për shkak të sezonit të provimeve. Procesi është drejt përfundimit.Për fakultetet e tjera fondi është shpërndarë dhe paratë gjithashtu.

Nga ana e qeverisë, buxheti për bursat e ekselencës është kaluar që në 5 Janar 2022, dhe po ashtu nga Rektoriati i është përcjellë çdo fakulteti. Ky fond ka qenë për muajt Tetor-Nëntor – Dhjetor 2021. Për muajt e tjerë do të jepet, si gjithmonë, brenda çdo muaji.Ndërkohë, ka patur raste të vecanta që kanë paraqitur ankesa, të cilat janë shqyrtuar dhe verifikuiar nëse i takon apo jo bursa e ekselencës. Por këto janë trajntuar rast pas rasti".

Por lajmi është përgënjeshtruar nga vetë Fakulteti në faqen zyrtare ku shkruhet se bursat po shpërndahen dhe të premten u njoftuan edhe studentët.

"Pagesat për studentët e FE po kryhen. Ata janë njoftuar sot, ku është publikuar dhe lista emërore e përfituesve në faqen zyrtare të Fakultetit të Ekonomisë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat