Ku u gjetën gjurmët e vrasësit me pagesë të Saimir Jakut që zbardhën krimin pas disa vitesh

Shqipëria

Ku u gjetën gjurmët e vrasësit me pagesë të Saimir Jakut që zbardhën krimin pas disa vitesh

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 09:52
Foto ilustrim

Gjashtë vite pas krimit të rëndë të ndodhur në zemër të qytetit të Rrëshenit, Strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë arritur të zbardhin vrasjen e ish-drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun, Saimir Jaku, dhe plagosjen e shtetasit Gjergj Prenga.

Kjo ngjarje ndodhi më 9 shtator të vitit 2016 në një lokal dhe në lidhje me këtë krim është arrestuar shtetasi Dorian Keqi, 40-vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.

Në kuadër të hetimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e grumbulluara, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, nxori urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës, ndërsa porositësit e atentatit dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Por për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar Dorian Keqi në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM, ndërsa vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje.

EKZEKUTIMI

Ish-drejtori i OST-së për Veriun Saimir Jaku u ekzekutua me 9 shtator të vitit 2016. Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe bashkë me një mikun e tij, i cili nga të shtënat mbeti i plagosur.

Autorët e ngjarjes, të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona, mes të cilëve dhe Dorian Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit.

Ekzekutimi i Saimir Jakut u pasua me një seri vrasjesh në qytetin e Rrëshenit dhe vende të BEsë, që mendohet të kenë ardhur si pasojë e përplasjeve të dy grupeve me influencë në qarkun e Lezhës.

IDENTIFIKIMI I VRASËSIT 

Dorian Keqi, vrasësi me pagesë i arrestuar për ekzekutimin e Saimir Jakut në Rrëshen në vitin 2016, u arrestua pranë Gjykatës së Lezhës.

Ai ishte aty i pranishëm, pasi kishte një proces gjyqësor për drejtimin në mënyrë të parregullt të automjetit, ndërsa një kuti shkrepëse e gjetur nga Policia e Lezhës, disa metra larg vendit ku është djegur makina e autorëve të vrasjes së ish-drejtorit të OST-së, Saimir Jaku, ka shërbyer për identifikimin e tij.

Mbi shkrepësen e sekuestruar, Policia në vitin 2016 arriti të fiksojë një gjurmë gishti, e cila për 6 vite me radhë është ekzaminuar dhe krahasuar me qindra gjurmë të tjera gishti, të personave të ndryshëm dhe të dyshuar si pjesëmarrës në këtë ngjarje, por vetëm ditën e hënë është arritur të provohet, se i përket shtetasit Dorian Keqi nga Kurbini dhe banues në Krujë.

Mësohet se shkrepësja është përdorur nga autorët për t’i vënë zjarrin makinës së përdorur në vrasje, mjet i cili u gjend plotësisht i djegur në një fshat të Kurbinit. Një nga autorët që besohet se ka qenë Dorian Keqi, i cili dyshohet se është njeriu që pasi ka lyer makinën me benzinë i ka vënë zjarrin asaj me shkrepëse.

Më tej kutinë e shkrepëses, ai e ka hedhur disa metra larg makinës dhe më pas janë larguar me një automjet tjetër.

Por pikërisht kutia e shkrepëses është gjendur nga grupi i hetimit, të cilët kanë konstatuar dhe një gjurmë gishti mbi të. Gjurma e gishtit është analizuar gjatë në laborator, por nuk është zbuluar gjurma krahasuese.

Gjatë këtyre viteve, kërkime janë kryer edhe në bazën e të dhënave të gjurmëve, pranë kompanisë së pasaportave “Aleat”.

Por, edhe aty nuk u arrit të përftohej një e dhënë domethënëse, që do çonte në identifikimin e personit që kishte lënë gjurmën e gishtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat