Plagosja me armë zjarri në Vlorë, policia zbardh dinamikën e ngjarjes

Shqipëria

Plagosja me armë zjarri në Vlorë, policia zbardh dinamikën e ngjarjes

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 09:39
Foto ilustrim

Disa orë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Llakatund të Vlorës ku mbeti i plagosur me armë zjarri 19-vjeçari Sebastian Jallaj, policia ka zbardhur dinamikën e plotë.

Autori është një 20-vjeçar nga Llakatundi, i cili është identifikuar dhe vënë në ndjekje nga  policia.

Ka pasur informacione se ku ndodhet personi në fjalë dhe janë kontrolluar zona të caktuara. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit për motive banale.

Sebastian Jallaj, banues në Fier, ka shkuar në Llakatund ku ka dhe të afërmit e tij dhe është nip aty.

Ai është ulur fillimisht në lokalin e fshatit, nga ku ka nisur debati me autorin e sulmit. Debat ky, i cili mund të ketë patur indicie edhe më parë. Autori, pas debatit me fjalë ka shkuar në shtëpi ku ka marrë armën e llojit pistoletë.

Në momentin që Sebastiani ka qenë duke zbritur nga lokali, ai e ka qëlluar me pistoletë në këmbë një herë dhe më pas është larguar. Autori nuk ka pasur qëllim ta vrasë, por thjesht ta dëmtojë.

Ai është larguar për disa metra në këmbë dhe më pas dyshohet të jetë larguar me automjet. Dyshohet se është kapur nga kamerat e sigurisë aty pranë të një biznesi, pasi lokali ku ndodhi konflikti nuk ka pasur kamera sigurie.

Dyshimet janë se fshihet në Vlorë, në fshatra apo zona të thella të qytetit. Identifikimi i autorit është bërë nga Sebastian Jallaj dhe policia ka nisur kërkimet.

Rreth 15 persona janë pyetur dhe kanë qënë të shoqëruar në komisariat për ngjarjen, mes tyre personi që e dërgoi në spital të plagosurin, familjarë të autorit, dëshmitar okular, familjarë të Sebastjanit.

Dëshmimtarët okular kanë treguar ngjarjen, të dhëna mbi autorin, dhe rrugën nga e kanë parë autorin të largohet, pa dhënë ndonjë detaj ndihmës me rëndësi për kapjen e tij.

Familjarët e autorit, në komisariat janë shprehur se djali është larguar dhe nuk e dinë ku është, ndërsa familjarët e Sebastianit nuk kanë patur dijeni se djali i tyre ka pasur konflikte të mëparshme.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon për gjetjen dhe kapjen e autorit./ euronews.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat