Debat në Parlamentin shqiptar: PD-ja e quan të dëmshëm për Kosovën fjalimin e Ramës në KiE, PS-ja e mbron

Shqipëria

Debat në Parlamentin shqiptar: PD-ja e quan të dëmshëm për Kosovën fjalimin e Ramës në KiE, PS-ja e mbron

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 11:59
Edi Rama

Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ka nisur me debate mes deputetit të PD-së, Tritan Shehu dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Martyt.

Balla është shprehur se qeveria e Sali Berishës bashkë me Ilir Metën votuan rezolutën e Dick Martyt dhe deri më tani nuk kanë dhënë asnjë sqarim edhe për financimet ruse, shkruajnë mediat në Tiranë.

Nuk mungoi edhe një reagim nga Shehu, i cili nënvizoi se po tentohet që t’u mbyllet goja deputetëve të opozitës që të mos ngrihet çështja e gjenocidit serb që ndodhi në Kosovë.

Ai tha se qeveria ka hall se mos mërzitet Aleksandar Vuçiqi.

Balla: Është fakt, Tritan, që Partia Demokratike në pushtet bashkë me LSI-në e Ilir Metës, më 25 janar të 2011-ës, 4 ditë pasi vratë popullin opozitar, keni shkuar dhe keni votuar një rezolutë. Si ka mundësi Tritan, që PD-ja ende nuk sqaron këtë rrjedhë logjike, nga propozimi rus tek vota juaj dhe më pas tek 600 mijë euro në llogarinë e PD-së. Nuk ka Kuvendi i Shqipërisë asnjë detyrë tjetër sesa të zhbëjë atë tradhti që i ke bërë ti. Ti ishe deri në 2009 se të hoqën, por Saliu në radhë të parë të vijë këtu dhe të japë llogari. Lufta e UÇK-së është një luftë e pastër.

Shehu: Nuk mund të fshihet e vërteta me mjegullnaja për t’i mbyllur gojën këtij parlamenti. Kjo gjë bëhet për një arsye të vetme se na zemërohet Vuçiqi, por të ngremë çështjen e gjenocidit serb në Kosovë. Kjo procedurë është ndaluar në mënyrë arbitrare për një kohë. Të gjithë deputetët këtu duhet ta ndjejnë veten të ofenduar, po tentojnë të na mbyllin gojën. Fjalim pocaqi i kryeministrit në Këshillin e Evropës, i cili më shumë dëmtoi Kosovën dhe proceset e saj të anëtarësimit. Pa goditur gjenocidin serb në Kosovë, çdo veprim tjetër është i kotë.

Balla: Kush është fjalimi Pocaqi? Të zhbëjmë atë që keni bërë ju me në krye Sali Berishën? Të pastrojmë imazhin e copëtuar të Shqipërisë se në xhepat tuaj kanë hyrë rublat ruse që në 2008. Është faji juaj që kur u depozitua rezoluta mbi të cilën lindi rezoluta e Dick Martyt dhe e miratuat në OKB. Turp nuk keni?! Si keni guxim?! Si ka mundësi që merrni guximin të bëni këtë kur duhet të kërkoni falje? Fjalimi i Ramës ishte gjëja e duhur në vendin e duhur se Shqipëria nuk është më vend i dorës së dytë. Të fokusohemi tek rezoluta që kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Mirëpres dhe angazhimin e kolegëve të opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat