A mund të më gjeni një shami...për të fshirë lotët e ishullit të Sazanit?

Shqipëria

A mund të më gjeni një shami...për të fshirë lotët e ishullit të Sazanit?

Ylli Mece Nga Ylli Mece Më 21 tetor 2022 Në ora: 14:30
Ishulli i Sazanit

Sot, ishulli i Sazanit ashtu i vetmuar i mbledhur, i strukur brenda trupit të tij prej shkëmbi i rrethuar nga dallgët plot shkumë në vetminë e vet, veshur me një pelerinë të vjetër e të zezë, relike kjo e mbetur nga dikush, apo e harruar prej ndonjërit pjesëtar, apo ekuipazh i reparteve të marinës shqiptare, “feston” krejtësisht i braktisur, datën e çlirimit të tij, nga hordhitë nazi -fashiste, - 78 vjetorin, që nis prej ditës së 22 të, të Tetorit të vitit 1944. Në rrudhat dhe rrëpirat e faqeve të tij, rrjedh loti më i kripur se vet ujët e detit, sepse çdo tokë e banuar kur braktiset, ajo qan më shumë se ata që e braktisën, madje qan me kujë, për t’ia dëgjuar klithmën lemeritëse e rrënqethësee që duket sikur thotë: Mos më braktisni, jam toka e juaj!

Dhe kështu i përhumbur ishulli kërkon brenda qenies së vet, një shami për të fshirë lotët që i rrjedhin në det e që janë më të kripur se ujtë e tij. Por zërin e trishtë të ishullit të Sazanit nuk e dëgjon askush, atij i ka humbur bukuria shpirtërore dhe gjallëria e cila e spikaste në momentet e festës së vet, kur Ai vishej tërësisht me larminë e uniformave jo vetëm të ushtarakëve të llojeve të ndryshme të armëve dhe shërbimeve, por dhe nga koloriti i veshjes së banorëve civilë të shoqëruar këto të gjitha me gumëzhitjen e zërave të fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve të shkollës 8 vjeçare ”22 Tetori” datë kjo e shënuar e cila e ka zanafillën e vet, pak më tepër se tre çerek shekulli më parë kur.....

Ishte muaji dytë i vjeshtës së vitit 1944 dhe Vlora kishte një javë që ishte çliruar nga pushtuesit gjermanë. Në kuadrin e ofensivës së përgjithshme për çlirimin e plotë të Shqipërisë, Sazani si një pjesë e tërësisë territoriale të Atdheut tonë, nuk mund të lihej pa u çliruar. Amanetin e Ismail Qemalit se “Sazan’ e Karaburunë janë vatanet e mia” nëse nuk bëheshin realitet, ashtu sikurse e thotë dhe populli, kurrë s’do të mund t’i treteshin kockat. Ishulli deri në vitin 1913 ishte tokë nën sovranitetin e Greqisë dhe në vitin 1914 ai me vendim të fuqive të mëdha imperialiste të kohës, i kaloi nën administrim të plotë Italisë e cila e mbajti atë të pushtuar për gati 30 vjet, madje dhe kur fashizmi kapitulloi, ishulli i Sazanit dhe pse i pushtuar nga gjermanët konsiderohej si pjesë e Italisë (Në bankinën e furnizimit me silura të katrave silurues dhe sot, si një firmë e traktatit të pushtimit, qëndron ende një vinç mekanik në bazamentin prej gize të të cilit shkruhet “ Torino 1914).

Në këto kushte, kur Shqipëria ishte në prag çlirimi, Brigada e 12 sulmuese e cila kishte çliruar dhe Vlorën, mori detyrë prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çl me çdo kusht të çlirohej ishulli i Sazanit, sepse Vlora kurrë sesi s’mund të quhej e lirë, nëse ishulli nuk merrej nga forcat partizane, si territor përbërës që i takonte vetëm Shqipërisë. Kështu që mbi bazën e kësaj detyre venë nga Komandanti i Përgjithshëm Gjeneral- kolonel E. Hoxha, në buzëmbrëmjen e dt. 21 tetor, u nisën drejt ishullit dy barka të vogla me rrema (lopatëza qe shërbejnë për vozitje) me rreth 11 partizanë ku midis tyre dhe një partizane Niqi Varfi (Derraj) si dhe dy armenë të cilët ishin specialista të mirë çminimi, por dhe katër italianë të cilët shërbenin si rremtarë apo vozitësa, gjithsej 15 persona. Jo rastësisht në “grupin komando” të zbarkimit u caktua dhe një femër, sepse të dhënat ishin të tilla, që gjatë kohës së pushtimit, italianët atje kishin të punësuara dhe femra, ndërsa për trupat naziste nuk kishte informacion të saktë. Lundrimi i skuadrës me mision u krye natën, me qëllim që zbarkimi i skuadrës partizane të mos binte në sy dhe përllogaritjet ishin bërë të tilla, që ata të mbërrinin në plazhin e Japrakës, pjesës jug lindore të ishullit, në agimin e dt. 22 tetor.

Këtë taktikë e diktonin rrethanat, ngaqë nuk njihej saktë situata dhe pse dihej, që nazistët ishin tërhequr nga Vlora në mesnatën që ndante datën 14 me 15 tetor. Në kushte të tilla ishulli për partizanët ngelej enigmë, por logjika të çonte në përfundime të tilla, që nazistët gjermanët në tërheqje e sipër, pa tjetër që do t’i kishin imbarkuar dhe trupat e tyre që kishin zaptuar ishullin, për t’ju bashkuar dhe këta, forcave që kishin marrë rrugën drejt Jugosllavisë. Në këto kushte masat ishin marrë të tilla që partizanët të përballeshin për çdo të papritur edhe nëse priteshin me zjarr nga armiku. Për këtë qëllim, skuadra partizane ishte furnizuar mire me materiale luftarake armë e municione si dhe për 2 -3 ditë ushqim. Sapo partizanët zbarkuan në ishull hapën zjarr taktik me breshëri për të pasur epërsinë e befasisë. E vërteta është se gjermanët ishin tërhequr qysh më parë, por atje patën ngelur disa italianë që gjermanët nuk i kishin marrë me vete ( ngaqë Italia i preu në besë) si dhe disa ushtarë armenë, por dhe punonjës civilë të prapavijës të cilët nuk bënë asnjë rezistencë dhe ju dorëzuan menjëherë forcave partizane.

Me këtë rast po atë datë pra më 22 tetor 1944, në qendër të ishullit atje ku ushtritë pushtuese ngrinin flamurin e tyre, u ngrit për herë të parë dhe një herë e përgjithmonë flamuri shqiptar. Ngritja e tij u shoqërua me një të shtënë topi, e shtënë kjo, që u linte formacionet partizane te vendosura në Vlorë, të kuptonin se ishulli ishte i lirë. Teksa shkruaj këto rreshta, unë ish ushtaraku i flotës luftarake – detare, që pata nderin të shërbeja në ishullin e Sazanit për 17 vjet rresht, kaloj në ekranin e mendjes time si në një film dokumentar jo vetëm historinë e ishullit si pikë strategjike, por dhe jetën e banorëve të Sazanit, në këtë avanpost të rëndësishëm të vendit tonë. Sigurisht bënim jetë të vështirë, “të privuar nga disa privilegje” që i gëzonin të tjerët, por shteti i asaj kohe kishte bërë dhe bëri çmos për të lehtësuar kushtet e jetesës së banorëve të cilët ishin kryesisht familje ushtarakësh por dhe civilë të shërbimit të prapavijës. Nuk kishim ambulancë por kishim spital me të gjitha pajisjet me personel mjekësor të kualifikuar dhe për rastet e rënda nisej drejt Vlore një anije e shpejte luftarake e cila për 15 min. bregzohej në molin e qytetit. Të gjitha familjet dhe civilët në ishull, ishin të punësuar sepse ishulli kishte një rrobaqepësi ushtarake, kopësht e çerdhe, mësues e mësuese, sektor tregtie dhe blegtorie. Kujdesi ishte tepër i madh si nga organet e Partisë por dhe ato të pushtetit.

Në atë kohë në ishull rrallë mund të gjeje familje pa Tv, pa frigorifer e lavatriçe. Dikush sot mund të nënqeshë me ironi, por kurrë nuk duhet të harrojë askush, se dhe në vendet më të zhvilluara të Evropës jo të gjitha shtresat e popullatës qysh në fillim i kishin të siguruara këto që unë përmenda më sipër. Dikur Sazani ndriçohej 8 ore në ditë me dy motora të fuqishëm, por u mendua që furnizimi me rrymë elektrike të ishte i vazhdueshëm dhe për këtë qellim në vitet 80-të nëpërmjet një kabeli elektrik i cili u shtrua nën ujë e që u prodhua nga Uzina e telave në Shkodër (enkas për ishullin e Sazanit)u bë e mundur furnizimi për 24 orë me rrymë elektrike. Kjo nuk kishte vetëm anën e përmirësimit të kushteve të jetesës së banorëve, por nga ana tjetër rriste dhe më tej gatishmërinë e aparaturave ushtarake për zbulim sipërfaqësor dhe nën ujor. Po kështu, në shërbim të banorëve të ishullit ishte vendosur dhe një anije transporti pasagjerësh e cila sillte furnizime të ndryshme nga qyteti. Ajo që karakterizonte jetën e këtij ishulli ushtarak të veshur me hekur e beton është fakti se çdo kush ishte vënë në shërbim të mbrojtjes. Për ne, por dhe për banorët ishin më se të zakonshme sirenat e alarmeve, sepse kishim pika të zbulimit të afërt e të largët dhe një shërbim operativ të përsosur që ndiqnin me përparësi situatën detare për të mos u shkelur kufijtë tanë detarë. Kanë qenë të rralla shumë të rralla mos verifikimi i shkelësve të kufijve tanë detarë, apo futjet e objekteve pa u zbuluar, sikurse ndodhi me nëndetësen e huaj në mezin e tetorit 1981 e cila nuk u pikas qysh në hyrjen e saj në Gjirin e Vlorës, por brenda tij, bile dhe në këtë rast falë manovrave të komandantit të asaj nëndetsje që ajo shpëtoi nga rrethimi i bombardimit, por dhe që e hodhi pa u lagur sepse urdhri ishte që nëndetësja të asgjësohej.

Ja kjo ishte gatishmëria e jonë dhe se thënia që kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm nuk ishte aspak një parullë, por një e vërtetë e përjetuar nga ne sidomos ushtarakët e ishullit (sikurse dhe gjithë Shqipërisë), por dhe nga vet armiqtë tanë të cilët e njihnin mirë shkallën tonë të gatishmërisë që me një sinjal çohej në këmbë një popull i tërë. Aktualisht, Sazani sot nuk është më bazë ushtarake. Atje s’ka më shkolla e kopshte , as çerdhe spitale, as sektorë tregtie dhe ekonomi ndihmëse të karakterit bujqësor e blegtoral, por s’ka as reparte ushtarake sepse tashmë Sazan’ e Karaburun’ i ruan ai italian që dikur na kish pushtuar, ai italian qe dikur nga armik në dy luftëra, pa pritur u bë mik dhe pse na mbyti në marsin e vitit 1997, ai tashmë ka marrë në mbrojtje të gjithë hapësirën tonë detare “për të mirën e Shqipërisë “, që do e çojnë në Evropë. Nuk është çudi që ishullin ta marrin me koncesion për të zhvilluar turizmin ama topat dhe raketat të jenë të drejtuara nga Vlora. Ja përse qan ishulli i Sazanit dhe ka vite e vite që për të nuk gjendet dot një shami që ai të fshijë lotët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat