Ministria e Mbrojtjes: PS dezinformoi, ja e vërteta me pronat

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes: PS dezinformoi, ja e vërteta me pronat

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 19:27

Në pasditen e sotme, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Edvin Kulluri dha një deklaratë për shtyp në përgjigje të akuzave të Partisë Socialiste.
Selia rozë akuzon Ministrin Arben Imami se prej 3 vitesh anashkalon Parlamentin për privatizimin e pronave të Forcave të Armatosura.

“Në përgjigje të serisë të së dielës të fushatës dezinformuese të Partisë Socialiste, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se nuk shet dhe nuk e ka në tagrin e saj ligjor shitjen e pronave që ka nën administrim. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerëson se cilat prona duhet të mbeten në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura, plan ky i miratuar nga Presidenti i Republikës me dekret. Ministri i Mbrojtjes as nuk vendos e as nuk heq prona nga Plani i Përhapjes.
Pronat që nuk i nevojiten Forcave të Armatosura në plotësimin e misionit të vet kushtetues, i nënshtrohen procedurave ligjore të tjetërsimit sipas disa prioriteteve ligjore”, sqaroi Kulluri.

Më tej Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes theksoi ky tjetërsim kryhet:
së pari, transferimin e tyre pranë pushtetit lokal ose institucioneve të ndryshme të pushtetit qendror me Vendime të Këshillit të Ministrave, bazuar në kërkesat e tyre, prona këto që përdoren për shkolla, qendra sociale, e shërbim shëndetësor e nevoja të tjera të komunitetit. Numri i pronave të transferuara nga viti 2003 deri në 2012 është 71.

Së dyti, një pjesë e pronave të tepërta i kanë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensim fizik të pronarëve kur mbi truallin e pronës nuk ka objekte ndërtimore.
Ndërkohë që pjesa e mbetur, i kalohen Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, e cila është pronare ligjore e pronave shtetërore. METE është organ përgjegjës për drejtimin dhe mbikëqyrjen e procesit të kalimit të pronës shtetërore në pronë private. Ministria e Financave, nëpërmjet Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike është organi përgjegjës për realizimin e procedurave të shitjes së pronës. Ministria e Financave ka raportuar se deri më tani në total janë shitur vetëm 23 prona që kanë qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, nga të cilat 70 përqind e tyre, janë përfituar nga ish pronarët, me të drejtën e parablerjes. Duhet të theksojmë se Ministria e Mbrojtjes nuk vendos çmime për këto prona, por me ligj kjo kompetencë është e Ministrisë së Ekonomisë dhe ekspertëve të licencuar e të pavarura të kontraktuar nga kjo ministri”.

MM akuzoi deputetët e PS se nuk kanë njohuritë e duhura kur flasin për këtë cështje.
“Padituria e një deputeti për ligjin nuk e bën procesin të ndryshëm nga ç’është. Roli i Parlamentit në këtë proces ka qenë miratimi i ligjit Nr. 9967, datë 24.07.2008, “Për miratimin e Aktit Normativ Nr 4, datë 09.07.2008, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve dhe objekteve të veçantë, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””.

Po ashtu, MM u shpreh se pronat e Forcave të Armatosura nuk janë nxjerrë jashtë përdorimit gjatë viteve të fundit.
“Ky është një proces që ka ecur proporcionalisht me reformimin e Forcave të Armatosura, pra zbritjen e numrit të tyre nga 120 mijë efektivë në vitin 1990, në vetëm 11 mijë të tillë në vitin 2012. Për pasojë, që nga vitit 1992 deri në vitin 2012 janë nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes të Forcave të Armatosura, pra jashtë përdorimit, 1006 prona”.

MM tha se ‘nga këto prona, që nga viti 2009 deri më sot janë nxjerrë jashtë përdorimit vetëm 68 të tilla, që janë kryesisht depo municionesh dhe materialesh të tepërta, të reduktuara nga procesi i asgjësimit të municioneve dhe procesi i pastrimit të ushtrisë nga këto materiale’.

Kulluri bëri të ditur gjithashtu se Ministri i Mbrojtjes ka ngritur një bord të posaçëm të kryesuar nga zv. ministri, i cili është i ngarkuar me detyrën e inventarizimit të plotë të pronave dhe regjistrimit të tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“Gjatë tre viteve të fundit, është bërë një punë voluminoze për plotësimin e të gjitha dosjeve të pronave. Prioritet kanë pronat që janë dhe do të mbeten brenda Planit të Përhapjes së Forcave të Armatosura. Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të politikave të transparencës, ka publikuar në faqen e saj zyrtare tre vite më parë, të gjitha pronat që janë jashtë përdorimit të saj”.

Përsa i përket strehimit të ish-ushtarakëve, MM theksoi se ata trajtohen si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes, në bazë të ligjeve të vendit, nuk ka asnjë detyrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat