FRD: Greva e urisë sukses, brenda tre viteve kompensim të plotë ish-të përndjekurve

Shqipëria

FRD: Greva e urisë sukses, brenda tre viteve kompensim të plotë ish-të përndjekurve

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 23:44

Fryma e Re Demokratike vlerëson lart aktet e kurajës dhe protestës demokratike të ish -përndjekurve politikë. Zëdhënësi i FRD tha për shtypin se “është e qartë se greva e urisë nuk ishte qëllimi primar i grevistëve, por pasojë direkte e imponuar e qëndrimit antihuman, antinjerëzor dhe antidemokratik të qeverisë shqiptare, e cila bashkë me modelin e Lukashenkos mbetet e para dhe e vetmja qeveri në Evropë që refuzon dialogun me qytetarët”.

“Shteti e shoqëria shqiptare u ka borxhe të shumta morale, politike dhe ligjore shtresës së ish– të përndjekurve politikë, të cilët sakrifikuan rininë dhe jetën e tyre në mbrojtjen gjallë të aspiratave të lirisë, demokracisë dhe Shqipërisë Evropiane. Braktisja e tyre nga ana e qeverisë aktuale, refuzimi i Kryeministrit për zbatimin e ligjit të miratuar nga vetë ai në parlament, si dhe fushata denigruese e klikës në pushtet kundër martirëve të gjallë të lirisë përbëjnë aktin e dëshpëruar të një klase të vjetër politike që hyri në politikë nga dera e Ramiz Alisë dhe po del nga politika duke u sjellë njësoj si ai me shtresën e ish – të përndjekurve dhe të burgosurve politikë.

FRD deklaron publikisht se me rotacionin e pashmangshëm të pushtetit më 2013 dhe me dhënien fund të modelit të përfaqësuar nga dy partitë e vjetra parlamentare, do ta shndërrojë çështjen e ish – të përndjekurve politikë në prioritet politik e parlamentar. Ashtu siç e kemi bërë të ditur edhe më parë brenda tre viteve të para të qeverisjes, FRD do të realizojë kompensimin e plotë financiar të kësaj shprese dhe do të bëjë integrimin e tyre të plotë moral e institucional në shtetin e shoqërinë shqiptare. Koha kur klikat komuniste merrnin vendime dënimi apo denigrimi ndaj të përndjekurve ka marrë fund njëherë e mirë dhe FRD është në politikë për ta bërë këtë premtim realitet,” thuhet në deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat