Ish-të përndjekurit: Votuam 4 me 2 për ta mbyllur grevën e urisë - Bota Sot
Ish-të përndjekurit: Votuam 4 me 2 për ta mbyllur grevën e urisë

Shqipëria

E hënë, 25 korrik 2016

Ish-të përndjekurit: Votuam 4 me 2 për ta mbyllur grevën e urisë

Më: 24 tetor 2012 Në ora: 09:42

Vendimi për mbylljen e grevës së urisë së ish-të përndjekurve u mor brenda çadrës së ngujimit. Aludimet se aktorë politikë nga jashtë saj vendosën për t'u dhënë fund sakrificave të tyre 31 ditore hidhet poshtë nga grevistët. Tri prej tyre, Agim Kollçaku, Guxim Kullolli dhe Besim Valteri thanë dje për "Gazeta Shqiptare" se askush tjetër veç tyre nuk mund ta merrte një vendim të tillë, aspak të lehtë sikundër e cilësojnë. Madje Valteri ka sqaruar për GSH se para se të bënin publike mbylljen e grevës, mes 6 ishtë përndjekurve politikë që rezistuan 31 ditë pa ngrënë bukë pati dhe grindje. Grevistët janë ndarë 4 me 2, ku shumica ka vendosur për dhënien fund të grevës.

"Nga disa shokë të mi u kërkua mbyllja e grevës. E hodhëm me vota qysh një natë më parë. U ndamë, katër donin ta mbyllnim, dy, mes të cilëve edhe unë, që greva të shtyhej deri në fund të javës. Hedh poshtë me neveri se vendimin e mori politika. Greva është mbyllur thjesht ngaqë vendosëm ne. U bë publik edhe qëndrimi i komisionerit Fyle ndaj vendosëm ta mbyllim", - tha Valteri, i cili nuk ngurroi të shtojë edhe diçka. "Më thanë se Gjergji (Ndreca) ka thënë në media se nuk u njoftua për vendimin. Unë nga shokët e mi grevistë di që Gjergjit i është komunikuar qysh një natë më parë vendimi", - u shpreh ai.

KAUZA
Ish-grevistët Kollçaku, Kullolli dhe Valteri konfirmuan për GSH se kauza e tyre vijon dhe se nuk do tërhiqen nga kërkesat për marrjen e dëmshpërblimit për vitet e burgut që kanë bërë gjatë diktaturës komuniste. Por ata janë të paqartë kur pyetja që iu shtrohet është se çfarë rruge do të ndjekin në vazhdim. "Kauza jonë vazhdon akoma. Greva u ndërpre se po vdisnim si qiriu. Dhe tani që kam dalë nga greva vetëm kos pi. Nuk kam se çfarë të ha tjetër. Të gjithë ne që ishim në atë greve urie, s'kemi asnjë të ardhur, jemi pa lekë, pa bukë. Ndaj do t'i shkojmë deri në fund rrugës së nisur. Më mirë të vdesim sesa të rrojmë. Sapo ta vendosim se çfarë do të bëjmë do t'ju njoftojmë", - tha Kollçaku për GSH. "Ne e vendosëm ta mbyllim meqë vajti shumë ditë greva, biseduam me njëri-tjetrin sepse nuk kishim mundësi më të mbijetonim. Nuk kishim nevojë që të merrenim mendime nga jashtë. Ditën e hënë do mblidhemi në Tiranë për të vendosur se çdo të bëjmë në të ardhmen", - konfirmoi për GSH, ish-i përndjekurit politik, Guxim Kullolli.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush mendoni se i ka bërë vrasjet e pasluftës?
test