Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, ka deklaruar nga Pogradeci, se mosthirrja e FRD nga presidenti Bujar Nishani në tryezën e partive parlamentare tregon frikën që kanë ata nga kjo parti. Nishani ka thirrur partitë parlamentare për të vendosur datën e zgjedhjeve parlamentare.
“Fakti që ne nuk jemi thirrur nga presidenti në tryezën e partive nuk na çudit. Mosthirrja në tryezë dëshmon frikën që ata kanë nga partia që ne përfaqësojmë”, ka theksuar Topi.
Topi ishte në Pogradec për inaugurimin e degës së kësaj partie në këtë qytet.
Sërish Topi deklaroi se ata nuk do të bëjnë aleancë me dy partitë e vjetra të tranzicionit.
Më tej ish-presidenti i Republikës është shprehur i bindur se Fryma e Re Demokratike do t’i arrijë rezultatet e kërkuara në procesin e ardhshëm elektoral.
“Kemi eksperiencë të mjaftueshme në politikë dhe do bëjmë të mundur arritjen e rezultateve”, ka shtuar Topi.
Ndër të tjera, kreu i FRD-së ka folur edhe për çështjen e mandatit të prokurorit të përgjithshëm.
“Mandati i kryeprokurorit të ri hyn në fuqi me ndryshimet kushtetuese. Veprimet e tjera që bëhen lidhur me këtë çështje janë antikushtetuese”, ka thënë ai.