Ja sa ndikoi rritja e pagës minimale në buxhet, 4-mujori i parë i vitit rekord në të ardhura

Shqipëria

Ja sa ndikoi rritja e pagës minimale në buxhet, 4-mujori i parë i vitit rekord në të ardhura

Më: 20 maj 2023 Në ora: 08:33
Foto ilustrim

Rritja e pagës minimale në rang kombëtar nga 1 Prilli, duket se ka dhënë ndikim të menjëhershëm në rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit. Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të analizuara, rezulton se nga tatimi mbi të ardhurat personale, ku përfshihen edhe pagat, janë arkëtuar 18.1 miliardë lekë apo rreth 160 milionë euro.

Nëse do ta krahasonim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton se janë mbledhur 3.4 miliardë lekë ose 23.5% më shumë se 4 mujori 2023. Ndërkohë, të ardhurat kanë tejkaluar edhe planin, me 1.5 miliardë ose 9.2% më shumë se plani i 4 mujorit 2023. Po ashtu, nëse do të analizojmë periudhat Janar-Prill në 5 vitet e fundit, vihet re se rritjet e herëpashershme të pagave minimale kanë dhënë efekt pozitiv, pasi 2023 mban rekord sa i takon të ardhurave të akumuluara.

Por edhe nëse do të krahasojmë të ardhurat e mbledhura në muajin Prill përgjatë këtyre viteve, rezulton se në Prill të 2023 është shifra më e lartë e cila arrin në 4.9 miliardë lekë, nga 4 miliardë në prill të 2022 apo 3.6 miliardë lekë në 2021-shin. Në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale kontributin më të lartë e jep tatimi mbi pagat e punonjësve në sektorin privat dhe publik, e ndjekur nga tatimi i paguar nga shitja e pasurive të paluajtshme i cili është në nivelin 15 për qind si dhe tatimi mbi qiratë.

Po ashtu një hapësire të konsiderueshme zë tatimi mbi të ardhurat nga dividendët dhe si dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat. Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri më i dytë  me më ndikim në buxhetin vjetor të shtetit, pas TVSH-së  dhe përbën afro 26.7% të totalit të të  ardhurave tatimore. Nga 1 Prilli paga minimale zyrtare u vendos ne nivelin 40 mijë lekë në muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat