“Eni të vajtojmë Shqipërinë”- Poezia e Hivzi Nelës që është mjaft aktuale edhe sot

Shqipëria

“Eni të vajtojmë Shqipërinë”- Poezia e Hivzi Nelës që është mjaft aktuale edhe sot

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 13:45
Hivzi Nela

Gazetari Enkel Demi nëpërmjet një postimi në Facebook ka publikuar poezinë e shkrimtarit dhe veprimtarit Hivzi Nela me titullin "Eni të vajtojmë Shqipërinë".

Në këtë poezi të shkruar në vitin 1977 paraqitet koha kur atdheu ishte i pushtuar nga komunistët.

Demi e ka ndërlidhur poezinë me situatën aktuale duke thënë se bijtë e etërve i kemi në pushtet si në kohët e diktaturës.

Poezia në fjalë, më vonë është përditësuar nga Ali Podrimja.

Poezia e Havzi Nelës "Eni të vajtojmë Shqipërinë" është shkruar në Burrel në shkurt të vitit 1977. Kemi të bëjmë me vargjet e një gjëme. Atdheu është pushtuar nga komunistët, të cilët sipas udhëheqësit të kohës sonë ishin në anën e duhur të historisë. Meqë bijtë e etërve i kemi në pushtet si në kohët e diktaturës, sot nuk na mbetet veç të lëshojmë zezonën "Eni të vajtojmë Shqipërinë" me këto vargje drithëruese, por tejet të përditësuara:

"Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë

Banditët e vendit e kan vu nën kambë

E mposhten, e shtruen, me hekur e zjarr

Neronët e kohës ia banë jetën varr".

P.S. Poeti nga Kukësi përdor një formë të çamërishtes për kujën e tij. Vite më vonë këtë formë do të përdorte edhe Ali Podrimja.

Eni të vajtojmë Shqipërinë

Eni ju o motra, eni ju o gra

Eni ju o vasha, që dini me qa

Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za

Eni t’marrim vajin, sot hije na ka.

Eni gjithë s’bashku, le ta shpallim zinë

Me gjamë e me kuje ta vajtojmë Shqipninë.

Le ta qajmë me lot, ta qajmë pa pushu

Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru.

Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këtë bijë

Le ta qajmë kët nuse pa foshnje në gji

Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota

Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë e gjithë bota.

Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera

Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera

Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë.

Banditët e vendit e kan vu nën kambë

E mposhten, e shtruen, me hekur e zjarr

Neronët e kohës ia banë jetën varr.

E veshën me gjemba, me tela e ferra

E kyçën nga brenda, s’e lanë as te dera

N’derë, as ne dritare, s’e lanë me pa fare

Ia kanë qepë sytë, për faqe t’zezë e marre.

Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë

Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë

E thithën shushunjëzat, i ligu mizori

E thanë, e çnderuan, epshori e hori.

A e dini shqiptarë, ç’ngreminë kemi rà

Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytem vlla me vlla.

Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë

Me thasë e intriga, shamata rri ndezë.

O Zot, ç’ka po heqim, çfarë na shohin sytë

S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë

S’na tremb burgu, plumbi e as litari

Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari

Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë

Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë.

Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë

A lulëzon dheu pa diell e pa hanë?

Jo jo, nuk durohen sarhoshët e marrë

Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë!

Seline e përgjakun, ta bajmë rrafsh me tokë

Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë!

A jeton shqiponja e shëmbun përtokë

Thye krahë e pendë, lidhun kamb’e kokë?

A jeton kjo zonjë në llum e batak

Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?

Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?

A jeni sot të denje të quhemi shqiptarë?

A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz

Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?

Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh

Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh.

Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale

Kapen dore per dore, e po hyjnë n’një valle.

Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra

Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat