Dëbora dhe ngricat pushtojnë zonat malore

Shqipëria

Dëbora dhe ngricat pushtojnë zonat malore

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 23:35
Foto ilustrim

Reshjet dhe shiut që përfshinë gjithë territorin një ditë më parë ia kanë lënë vendin këtë të diel diellit dhe të ftohtit.

Të gjitha zonat malore nga veriu deri në lindje ishin këtë mëngjes të mbuluara nga dëbora, e cila në jo pak raste ka sjellë edhe probleme me qarkullimin dhe furnizimin me energji.

Situata më problematike është në Qarkun e Dibrës, ku siç shihet edhe nga pamjet dëbora ka arritur në disa centimetra edhe brenda në qytetin e Peshkopisë.

Autoritetet kanë bërë ndërhyrje me mjete borë pastruese dhe kriposje duke hapur qarkullimin në akset rrugore kryesore, por për shkak të ngricës rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe në disa raste më të vështira edhe i zinxhirëve.

Në orët e paradites u bë i mundur edhe hapja e bypass-it të Qafë Murrizit.

Në këtë bashki problem mbeten njësitë rurale Lurë, Selishtë, Zall Reç, Kala e Dodës dhe Luzni, qarkullimi drejt të cilave mbetet i bllokuar.

Në Qarkun e Kukësit, trashësia e borës në zonat e thella malore ka kaluar mbi 20 centimetra, por rrugët nacionale kanë qenë të qarkullueshme me zinxhirë. Furnizimi me energji elektrike është normal në pjesën më të madhe Qarkut Kukës, me përjashtim të disa njësive të thella administrative.

Në Qarkun e Shkodrës te gjitha akset nacionale janë të hapura, ndërsa ka pasur probleme në zonat e thella malore me mungesë të energjisë elektrike.

Ndërprerja e reshjeve të borës ka përmirësuar situatën edhe në juglindje, teksa të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me Kapshticën, Qafë Thanën dhe Kolonjën janë të qarkullueshme normalisht.

Edhe në akset turistike drejt Dardhës dhe Voskopojës lëvizja e mjeteve bëhet pa vështirësi. Por si pasojë e motit të keq kanë mbetur pa energji disa fshatra të thella malore në Bashkinë e Kolonjës.

Reshjet e dëborës dhe ngricat kanë sjellë disa probleme me energjinë elektrike edhe në disa zona thella të Fanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat