​Shqipëri, dyfishohen truprojat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që kërcënohen nga krimi

Shqipëria

​Shqipëri, dyfishohen truprojat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që kërcënohen nga krimi

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 20:23
Ilustrim

Janë dyfishuar truprojat speciale që do të ruajnë prokurorët dhe gjyqtarët që kërcënohen nga krimi apo nga të korruptuarit në Shqipëri.

Nga 49 forca struktura e re e Njësisë së Mbrojtjes së Veçantë është kthyer në super njësi me 103 persona. Njësia e blinduar, e njohur si RES, u propozua nga drejtori i përgjithshëm i policisë Muhamet Rrumbullaku dhe u firmos nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Të dy zyrtarët kanë qenë më herët në një nga mbledhjet e KLP-së për masat që duhen ndryshuar jo vetëm për ruajtjen e jetës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe për perimetrin e sigurisë së godinave.

Truprojat e policisë që do të ruajnë prokurorët dhe gjyqtarët e kërcënuar kanë detyrë të shërbejnë në të gjithë vendin dhe ky ndryshim bëhet me dije se u aprovua me urgjencë menjëherë mbas kërkesave në rritje për marrjen në ruajtje të njerëzve të drejtësisë, dy prej të cilëve krimi i kërcënoi duke ju vendosur lëndë plasëse në makinë, e të tjerë si Doloreza Mudabelliu dhe Merita Selimi ku planifikohej nga grupi kriminal i Laert Haxhisë që të sulmoheshin.

Njësia e Mbrojtjes së Veçantë ka buxhet më vete dhe parashikon një strukturë tjetër speciale njësia operacionale.

Me përjashtim të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani që për shkak të detyrës ruhet nga Garda e Republikës, Irena Gjoka si kryegjyqtare e posaçme ka katër oficerë të gardës për shkak të funksionit dhe dy të tjerë janë shtuar pas vendimit gjyqësor në dosjen “Partizani”.

Shtatë prokurorë dhe gjyqtarë ruhen aktualisht për shkak të kërcënimeve dhe dosjeve të forta që kanë nën hetim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat