Në prag të festave të fundivit, rritet fluksi i personave që hyjnë në Shqipëri nga porti i Durrësit

Shqipëria

Në prag të festave të fundivit, rritet fluksi i personave që hyjnë në Shqipëri nga porti i Durrësit

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 11:54
Foto ilustrim

Afrimi i festave të fundvitit sjell një numër të shumtë hyrjesh në vend edhe përmes portit më të madh detar në vend.

Duke nisur nga data 21 dhjetor, këtë të enjte, tragetet e linjës Durrës-Bari nisin lundrimet e dyfishta për të përballuar fluksin në hyrje të personave që vijnë për të festuar në Shqipëri. Shumë prej atyre që vijnë janë pjesë e diasporës që kthehen për të festuar në atdhe, por nuk mungojnë as turistët e huaj që zgjedhin vendin tonë për të kaluar disa ditë pushimesh. Në pritje të këtij fluksi, autoritetet kanë marrë masat për përpunimin e shpejtë dhe pa vonesa të udhëtarëve dhe automjeteve, në funksion të të cilëve do të jenë 20 sportele.

Sipas Autoritetit Portual Durrës, rreth 770 mijë pasagjerë dhe 265,000 automjete kanë udhëtuar nga dhe drejt Portit të Durrësit përgjatë 11 muajve të këtij viti.

Të dhënat zyrtare të APD-së  tregojnë se 768 mijë e 807 pasagjerë janë regjistruar përgjatë periudhës janar-nëntor, ose në total 24 mijë e 922 pasagjerë më shumë se 11 mujori i vitit 2022. Ndërkohë, edhe transporti i automjeteve nëpërmjet trageteve ka reflektuar gjithashtu një rritje prej 18 mijë e 373 automjetesh më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Tragetet gjatë periudhës janar-nëntor 2023 kanë kryer gjithsej 919 lundrime me linjat nga Porti i Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe anasjelltas, duke kryer kështu 35 lundrime më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Ky 11 mujor reflekton një rritje në masën 3, 3% përsa i përket transportit të pasagjerëve me tragete në raport krahasimor me janar-nëntorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë që në prag të festave të fundvitit pritet edhe fillimi i sezonit të lartë, sa i përket fluksit të udhëtarëve nga Porti i Durrësit, i cili përgjatë muajit dhjetor është i përqendruar në hyrje.

Fluksi progresiv sjell nga e enjtja e kësaj jave edhe fillimin e lundrimeve të dyfishta (dopio corse) dhe aplikimin e masave shtesë të shërbimeve në Terminalin e Trageteve, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat