BSH: Forcimi i kursit të këmbimit, kontribut në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste

Shqipëria

BSH: Forcimi i kursit të këmbimit, kontribut në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 07:48
Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë bën të ditur se kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur një trend të qartë forcues gjatë vitit 2023. Në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5 % gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1 %.

Sipas Bankës Qendrore, kjo ecuri ka pasqyruar përmirësimin e dukshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, çka ka gjeneruar një tepricë valute në tregun e brendshëm.

Ky përmirësim rezultoi edhe më i shpejtë në tremujorin e tretë, si pasojë e rritjes me 34 % të eksporteve totale, e rritjes me 14 % të remitancave dhe e rritjes me 10 % të investimeve të huaja direkte, duke rezultuar në një tepricë të ndjeshme pozitive të bilancit korrent dhe të bilancit të përgjithshëm të pagesave.

BSH bën të ditur se, forcimi i kursit të këmbimit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste. Banka Qendrore kryen një monitorim rigoroz të kursit të këmbimit dhe gjykon se, ecuria e kursit të këmbimit është brenda parashikimeve. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj dhe me rregullore kur duhet të ndërhyjë për kursin e këmbimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat