Policia e Shtetit publikon planin e masave për festat e fundvitit

Shqipëria

Policia e Shtetit publikon planin e masave për festat e fundvitit

Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 18:55
Ilustrim

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë shtuar vigjilencën dhe gatishmërinë për të garantuar mbarëvajtjen e festave të fundvitit. Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, blutë bëjnë me dije se për garantimin e rendit dhe të sigurisë janë të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.

Për netët festive të Krishtlindjes dhe të ndërrimit të viteve, por dhe gjatë gjithë ditëve të fundvitit do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve.

Masat shtesë, do të merren duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, në kufirin e gjelbër, në akset rrugore dhe në qendrat e banuara. Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Njëkohësisht është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Ndërkohë, vijon kontrolli ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat