Paketa e re Fiskale, gjobat bëhen proporcionale në bazë të dëmit - zbardhen detajet nga ligji i ri

Shqipëria

Paketa e re Fiskale, gjobat bëhen proporcionale në bazë të dëmit - zbardhen detajet nga ligji i ri

Më: 5 janar 2024 Në ora: 08:33
Foto ilustrim

Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, të miratuara si pjesë e Paketës së re Fiskale që do të zbatohet këtë vit, përcaktojnë një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri. Gjithashtu, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eliminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë.

Përmes ndryshimeve propozohet rregullimi i formës së llogaritjes së dënimit për mospagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi të ardhurat personale, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, në bazë të të cilit dënimi duhet të jetë në përputhje me efektin që ka prodhuar në buxhetin e shtetit mospagimi në afat i detyrimit tatimor, duke vendosur llogaritjen e gjobës si për të gjitha detyrimet e tjera tatimore të papaguara, në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, për një periudhë jo më të gjatë se 365 ditë kalendarike.

Në të njëjtën linjë vijon parimi i ruajtjes së proporcionalitetit të dënimeve, në përputhje me shkeljen tatimore, lidhur me shkeljet për moslëshimin e faturave e të faturave shoqëruese nga tatimpaguesi. Kështu, përcaktohet se për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në, përveç masës së gjobës, bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative, nëse shkeljet e përkatëse janë konstatuar për herë të dytë brenda vitit kalendarik, dhe të dy herët në kuadrin e një kontrolli tatimor “verifikim në vend”.

Sipas parashikimit ligjor që ishte në fuqi deri më 1 janar, zbatimi i nenit 123, ku parashikohen dënimet përkatëse në rastet kur konstatohen diferenca inventariale midis inventarit fizik dhe atij kontabël sjell detyrime joproporcionale me shkeljen e konstatuar, pasi, për një diferencë në vlerë të vogël, vlerësimi 3-mujor mund të prodhojë detyrime tatimore në mënyrë të konsiderueshme joproporcionale me tatimin e shmangur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat