Dëshmitë rrëqethëse të 4 fëmijëve të Bedrie Lokës për të atin: Shkelma e grushta, akuza për tradhti dhe një paralajmërim…

Shqipëria

Dëshmitë rrëqethëse të 4 fëmijëve të Bedrie Lokës për të atin: Shkelma e grushta, akuza për tradhti dhe një paralajmërim…

Më: 9 janar 2024 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Përveç pamjeve që tregojnë dhunën e ushtruar nga Xhemal Loka ndaj bashkëshortes së tij Bedrie Loka, dëshmitë e fëmijëve janë ato që duket se e fundosin edhe më tej 45-vjeçarin, i cili akuzohet se e ka shtyrë të shoqen drejt vetëvrasjes. Gazetarja Enkeleda Arapi sjell detaje nga dosja hetimore, ku mes të tjerash zbardhen dëshmitë pikërisht dëshmitë e vajzës dhe 3 djemve të çiftit. Kështu, në dëshminë e tij njëri prej djemve pohon se mes tyre kishte pasur gjithnjë debate dhe se Xhemali nuk e linte të shoqen të shkonte tek e ëma. Debat për këtë fakt kishin pasur edhe një natë përpara se nëna e 4 fëmijëve të pinte helm, duke i dhënë fund jetës. Një detaj rrëqethës është fakti se djali thotë se një vit më parë, i ati e kishte marrë në telefon të ëmën dhe i kishte thënë: “Do të të bëj të vrasësh veten”.

“Mami dhe babi gjithmonë lanmë pasur debate me njëri-tjetrin e nuk i kanë patur mirë marrëdhëniet. Gjithmonë debatonin, madje dhe një ditë para se të vdiste mami, një ditë para se të pinte helm, ka bërë një debat të fortë, se nuk e lejonte mamin të shkonte te shtëpia e gjyshes dhe filloi duke e sharë dhe ofenduar mamin tim. Debati atë natë ka zgjatur nga ora 19:00 pak a shumë deri në orën 23:00. Babi kur ka qenë në Greqi, gati një vit më parë, e ka marrë në celular mamin tim dhe i kanë thënë që unë ty do të bëj të vrasësh veten, mbaje mend. Shkaku i këtij veprimi ka qenë se mami ka qenë shumë e kërcënuar dhe e ofenduar nga babai im. Mami ka patur konflikte të here pas hershme me babain tim”, thuhet në dëshmi.

Debatin e një nate përpara ngjarjes së rëndë e konfirmon edhe vajza e madhe e çiftit, e cila rrëfen se kishte biseduar në telefon me të ëmën. “Ajo më tha që prapë debat … i thashë po leje pra atë muhabet dhe qepe, mirë mo mami më tha, mirë se e qep unë”, rrëfen në dëshmi vajza.

“Prej një viti ato nuk i kanë patur mirë marrëdhëniet me njëri tjetrin, kanë patur debate që prej muajit shkurt 2023… sepse gjyshja ime ka kaluar një trombozë dhe babi im nuk e linte mamin të shkonte për vizitë te gjyshja. Mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht dhe shumë herë shpreheshe se do t’i jepte fund jetës se thoshte jam e lodhur. Komunikimi i fundit që unë e kam bërë me mamin … ka qenë ora rreth 22:30 dhe… dhe ajo më tha që prapë debat … i thashë po leje pra atë muhabet dhe qepe, mirë mo mami më tha, mirë se e qep unë. Diku nga muaji shtator 2023 mami … i ka gjetur babit… disa letra në gjuhën franceze të cilat ia ka dërguar një … femër … ajo ishte një franceze dhe ka komunikuar me vëllain tim dhe i ka thënë që ka patur një lidhje me Xhemalin… kjo ka qenë një arsye që e ka vrarë shumë psikologjikisht mamin tim”.

Akuzat për lidhje jashtë martesore, të paktën sipas asaj që deklarojnë fëmijët, duket se ishin nga të dyja palët. Djali tjetër i çiftit, i mitur, thotë se i ati e akuzonte 41-vjeçaren se e “kishte kapur vëllai me dashnor”.  I mituri pohon po ashtu se 45-vjeçari e kishte dhunuar gjithmonë të ëmën, “me grushta e shkelma”.

“Babi im e ka dhunuar gjithmonë nënën time. më datë 27 dhjetor 2023, kur ka ardhur babi… krijoi me konflikt mamin se kishte ar llafe të… njerëzve të tjerë për mamin. I ka thanë mamit lloj-lloj fjalësh, i ka thënë do të vras… e ka ofenduar me fjalë të rënda … e ka goditur mamin me grushta dhe me shkelma”, “më datë 1 janar, pas vitit të ri … babi është zënë përsëri me mamin sepse i thoshte se nuk do shkosh te … daja im … dhe të gjyshja ime … ka qenë ora rreth 22:00 deri rreth orës 23:00 ku babi duke bërtitur e ulëritur i thoshte që s’ke për të shku”, “babi im e shante e ofendonte me fjalët nga më të ndyrat… i thoshte që ke dashnor, i thoshte që ty të ka kap vëllai jot dhe se ti shkon nëpër hotele me atë (dajën)”.

Edhe djali tjetër i mitur rrëfen për të njëjtën situatë në familje. Madje ky i fundit rezulton edhe ai që e dokumentoi dhunën në fjalë, pasi i bënte video prindërve teksa ziheshin dhe ia çonte të motrës së martuar duke i kërkuar ndihmë.

“Ato gjithmonë ziheshin me njëri tjetrin”, si dhe “unë kam bërë me celularin tim ca video dhe ia kam çuar motrës sime ku i thosha ia ça po bën mami me babin, i thosha hajde se po zihen”, duke theksuar “unë kam një telefon “Samsung” … dhe me këtë celular unë kam bërë video dhe ia kam çuar motrës kur babi u zinte me mamin”, si dhe “telefoni im është në polici … e ka marrë babi… dhe ka thënë që është i veti”.

Edhe për vëllezërit e së ndjerës, vetëvrasja e saj ka ardhur “vetëm prej dhunës së bashkëshortit të saj Xhemal Loka”.

“Ato i kanë patur marrëdhëniet shumë keq… atë gjë e ka ditur shumë mirë mbesa ime Rozalinda … mendoj se Rozalinda e di mirë historinë e kësaj pune, por ajo nuk tregon menjëherë se normalisht i vjen keq për babain e saj”, shprehet njëri prej tyre, ndërsa tjetri shton “motra ime i ka pasur shumë keq marrëdhëniet … me burrin e saj. Madje edhe ditën e ngjarjes Xhemali e ka dhunuar motrën time”.

Për prokurorinë, “edhe nga këto deklarime të fëmijëve provohet fakti që marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve nuk kanë qenë marrëdhënie normale, por janë karakterizuar nga një gjendje konfliktuale e vazhdueshme, e shkaktuar nga sjellja e bashkëshortit Xhemal Loka karshi saj, sjellje kjo e shoqëruar herë pas here edhe me veprime të dhunës fizike ndaj saj, për të cilat, ajo nuk ka parashtruar asnjë njoftim apo kallëzim penal para institucioneve ligjzbatuese, sjellje kjo që ka sjellë një gjendje psikologjike të rënduar të të ndjerës, ç’ka e ka çuar atë drejt ndërmarrjes së veprimit fatal të vetëvrasjes nëpërmjet konsumimit të lëndës së dyshuar fotoksinë”.

Ditën kur Xhemal Loka u shoqërua në polici, më datë 5 Janar me vete iu gjet një sasi parash, që për prokurorinë ngre dyshimet se pas vetëvrasjes së bashkëshortes, ai po planifikonte të largohej nga Shqipëria në mënyrë që t’i shpëtonte përballjes me dretjtësinë.

“Teksa më datë 05.01.2023, shtetasi Xhemal Loka është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës, “i janë gjetur me vete një sasi parash prej 2’800 Euro dhe 27’000 Lekë”, shuma në të holla këto që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Disponimi i kësaj shume, marrë në kontekst të ngjarjes së ndodhur, ka shtuar dyshimet e formuara se “ky shtetas po përgatitej të largohej jashtë vendit për t’ju fshehur procesit hetimor lidhur me këtë ngjarje”,  thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në gjendje të rënduar psikologjike, më 2 Janar Bedrie Loka piu helm dhe gjeti vdekjen një ditë më pas në spital. Për ngjarjen policia arrestoi bashkëshortin e saj Xhemal Loka, i cili akuzohet se e shtyu bashkëshorten drejt vetëvrasjes. Gjatë kontrollit në shtëpi atij iu gjet dhe armë, ndaj prokuroria e akuzon edhe për armëmbajtje pa leje 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat