Akademia e Shkencave themelon çmimin “Pilika”, në respekt të akademikut të shkollës shqiptare të matematikës

Shqipëria

Akademia e Shkencave themelon çmimin “Pilika”, në respekt të akademikut të shkollës shqiptare të matematikës

Më: 14 janar 2024 Në ora: 22:12
Akademia e Shkencave themelon çmimin “Pilika”, në respekt të akademikut të shkollës shqiptare të matematikës

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka njoftuar themelimin e çmimit të veçantë shkencor “Pilika”, në nder të akademikut Petraq Pilika.

Në 100-vjetorin e lindjes së akademikut Pilika, i cili ishte edhe themelues i shkollës shqiptare të matematikës, themelues i së parës katedër të matematikës dhe drejtues historik i saj për mbi tri dekada; bashkëthemelues i shkencës së informatikës; anëtar i Akademisë së Shkencave që nga themelimi; përfaqësues i kësaj fushe dije në kongrese ndërkombëtare, u themelua çmimi shkencor që do të mbajë emrin e tij.

Çmimi u themelua me vendim të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe me propozim të komisioneve të përhershme të matematikës dhe informatikës, ndërsa ai do të akordohet për nxitjen dhe vlerësimin e kërkimeve shkencore në matematikë dhe shkencat kompjuterike.

Kush ishte Petraq Pilika?

Petraq Pilika është matematikan, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Korçë, ku kreu liceun kombëtar francez. Mori pjesë aktive në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare që në fillimet e saj dhe më pas edhe në luftën antifashiste. U diplomua në degën e matematikës të Universitetit “Lomonosov” të Moskës (1946-1951). Më 1951 u emërua përgjegjës i katedrës së matematikës e të fizikës në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Me themelimin e UT u emërua përgjegjës i katedrës së matematikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të cilën e drejtoi për 31 vjet.

Pilika kreu studime të rëndësishme në fushën e teorisë së funksioneve, botuar në revista të vendit e të huaja. Në vitet 1970 luajti rol kryesor në hartimin e strategjisë së zhvillimit në matematikë. Ishte organizator kryesor i dy konferencave kombëtare për matematikën (1984, 1989). Nxiti kërkimin e mirëfilltë shkencor dhe e orientoi drejt në hapat e parë të tij në disa fusha me perspektivë për rritjen e nivelit shkencor të mësimdhënies dhe për zbatime në fusha të tjera.

Disa nga veprat kryesore: “Funksionet kufitare e klasat Hp” (monografi); “Teoria e funksioneve të ndryshorit real”; “Teoria konstruktive e funksioneve”.

Akad. Petraq Pilika ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në disa forume shkencore ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në kongreset botërore të matematikës. Ai ka përfaqësuar Akademinë e Shkencave në simpoziumin ndërkombëtar të kërkimeve në këtë fushë zhvilluar në Rumani në vitin 1965 (botuar në Studii si cercetări matematice”, vol. 17, issues 6-10, p. 994 et cont., bot. Institutul de Matematică; si dhe në “Revue roumaine de mathématiques pures et appliqués”, nr. 10/1965 (edit. Academia Republicii Populare Romîne); në konferencën ndërkombëtare të matematikanëve në Helsinki më 1982 (botuar në “Proceedings of the International Congress of Mathematicians”, Helsinki 1980, edited by Olli Lehto – “Mathematics” – vol 1, p. 36; si dhe në “Les lettres Albanaises”, 1981.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat