Kryeministri në aktivitetin festiv në 22 vjetorin e shembjes së bustit të diktatorit

Shqipëria

Kryeministri në aktivitetin festiv në 22 vjetorin e shembjes së bustit të diktatorit

Më: 20 shkurt 2013 Në ora: 19:57

Është përkujtuar sot në sheshin e historisë përmes një aktiviteti festiv 22 vjetori i shembjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha. Në këtë aktivitet të organizuar në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti ishte i pranishëm dhe Kryeministri Berisha i cili e vlerësoi këtë datë si ditën më të shënuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Por, sipas tij, në këtë 22 vjetor e majta shfaqet sërish me bijtë hoxhistë, të cilët pasi dështuan në tentativën për të marrë pushtetin me dhunë, ngritën murin e bllokimit.

"Sot pas 22 vitesh të përmbysjes së diktaturës hoxhiste si në asnjë vend tjetër bijtë e etërve hoxhistë pasi pushtuan kreun e PS, guxuan të ndërmarrin përmbysjen me dhunë të pushteti tuaj të dalë nga vota e lirë. Ato gabuan ne ju themi dhe një herë pushtet me dhunë në këtë tokë nuk do merrni kurrë, pasi Shqipëria është vend me ligje. Liria dhe mbrojtja e vlerave të saj janë pasioni ynë, forca e pathyeshme e Kushtetutës, e ligjeve e votës dhe institucioneve të lirisë. Sot pas 22 vitesh ata me një zemëri të plotë politike përdorin pushtetin që iu kanë besuar zgjedhësit shqiptar për tu ngritur në rrugën e integrimit, murin e turpit, murin e bllokimit”, vuri në dukje Berisha, gjatë fjalës së tij përpara të pranishmëve që ishin bashkuar në këtë shesh për të përkujtuar një ditë kaq të rëndësishme në historinë e vendit.

Ndërkohë që nderime dhe përulje i dedikohen martirëve të lirisë, për të cilët Kryeministri kërkoi që në shenjë nderimi të mbahet një minutë heshtje për sakrificën e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor.

Në paralelizëm me këtë ditë dhe me mbështetjen që PD ka në njerëz, kreu i qeverisë shprehu bindjen se dhe në 23 qershor kjo mazhorancë do të votohet duke sjellë një fitore të thellë përkundrejt alternativës së bllokimit.

“Në këtë shesh studentët liberator morën betimin për sakrificë sublime, ndërmorën grevën e urisë grevën më masive të lirisë që kishte parë Europa. 20 shkurti shënoi ditën që PD realizoi fitoren më të madhe në të gjithë historinë e saj. Në 23 qershor qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë do të vërshojnë si uragan drejt lirisë për një mbështetje të fuqishme. Ata ngritën murin e turpit murin e integrimit, ata gabojnë, kësaj radhe me votën tonë do të vendosim fundin e tyre. Shqiptarët më 23 qershor do të votojnë për integrimin në Europë, për Shqipërinë e zhvilluar, ne jemi ndryshimi, ne do të fitojmë”, vlerësoi Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat