Akademia e Çiklizmit në Tiranë/ Fëmijët mësojnë si të përdorin biçikletën

Shqipëria

Akademia e Çiklizmit në Tiranë/ Fëmijët mësojnë si të përdorin biçikletën

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 21:25
Ilustrim

Jemi pranë liqenit artificial në kryeqytet, këtu ku ndodhet akademia e ciklizmit. Prej disa muajsh të vegjlit mësojnë biçikletën, por jo vetëm kaq edhe rregullat e pedalimit për të qenë nesër përdorues të rregullt të rrugës.

Fëmijët që frekuentojnë akademinë janë të grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga 7 deri në 13 vjeç.

“T’i mësojmë atyre rregullat bazë të qarkullimit sic janë, sinjalistika, tabelat dhe siguria e tyre që është vendosja e kokores, jelekut dhe të sillen sa më kujdesshëm në rrugët e Tiranës”.

Edlir Logo, përgjegjës në akademi thotë se në këtë mënyrë të vegjlit mësohen me kulturën e lëvizjes me biçikletë për të pasur në të ardhmen një qytet më të mirë.

“Bëhet shprehi për të që nëse kanë mësuar që tani në moshë të vogël që kur kemi semafor duhet të ndalojmë ose me vënien e kokores, që ata të jenë më të sigurt në rrugët e Tiranës”.

Mësimet për fëmijët jepen falas, duke bërë më parë rezervim. Në dispozicion të fëmijëve janë trajnuesit.

“Ne po ndjekim disa metoda gjermane të mësimit në akademi. E gjithë Europa i mëson fort lëvizjes me mjete ekologjike”.

Kryebashkiakja e biçikletave, Iden Petraj thotë se qëllimi i bashkisë është që të fusë edhe në institucionet arsimore kulturën e lëvizjes me biçikletë në qytet.

“Po mundohemi që të trajnojmë cdo fëmi në shkollat e Tiranës. Që çdo fëmijë jo vetëm të dijë t’i japë bicikletës por edhe të mësojë rregullat. Autobusi i bicikletave ka si qëllim që fëmijët të shkojnë në shkollë me bicikletë. Jemi duke bërë një kalendar që ta zhvillojmë në të gjitha shkollat e Tiranës”.

Së shpejti pritet të hapet edhe shkolla e biçikletave, pranë stadiumit “Air Albania”.

“Do të ketë më shumë hapësira dhe më i aksesueshëm nga prindërit për të sjellë fëmijët që të mësojnë rregullat e qarkullimit”.

Përveç marrjes së mësimeve bazë për çiklizmin, akademia e biçikletave është kthyer gjithashtu në një hapësirë zbavitëse dhe rekreative për grupmosha të ndryshme pranë parkut të liqenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat