Psikologia hedh hije dyshimi mbi vrasjen e babait nga fëmijët: Krim gjakftohtë dhe i planifikuar

Shqipëria

Psikologia hedh hije dyshimi mbi vrasjen e babait nga fëmijët: Krim gjakftohtë dhe i planifikuar

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 12:54
Pamje nga vendi i ngjarjes

Psikologia Borjana Dine duke folur në një studio televizive mbi vrasjen e babait nga fëmijët në Durrës, tha që kemi të bëjmë me një krim gjakftohtë dhe të planifikuar.

Ajo vuri në dukje se duhet një vlerësim psikologjik, për të kuptuar nëse fëmijët kanë një çrregullim psikologjik, apo janë përballur me dhunë kronike nga babai. Dine thekson se rasti është kompleks dhe arsyet mund të jenë më shumë nga ato që mendojmë. 

"Është e vështirë edhe për ne duke e parë në aspektin psikologjik, duke qenë se kemi të bëjmë me një krim që nuk është fort normal, dhe nuk është gjaknxehtë. Kemi të bëjmë me një krim tepër gjakftohtë, të planifikuar, me 2 apo 3 nga fëmijët e tyre. Shohim fëmijët në gjykatë që janë totalisht të qetë dhe këtu është ajo mëdyshja, nëse fëmijët janë të qetë sepse dinë përgjegjësinë e asaj që kanë bërë, apo kamuflojnë ndjesitë e tyre psiko-emocionale. Sa i përket edhe fëmijëve, ajo që do tregojë është edhe një vlerësim psikologjik i tyre, për të kuptuar dinamikat familjare, sociale, personale, për të kuptuar mbi personalitetin e tyre, dinamikat në të cilat ndodhen, ngjarjet në të cilat janë kufizuar dhe përkufizuar, në të gjithë periudhën e tyre kohore jetësore. Janë shumë aspekte për të cilat duhet të kemi më shumë dijeni, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me një çrregullim psikologjik, që mund të jetë psikoza apo psikopatia, apo mund të kemi të bëjmë me një dhunë kronike. Fëmija vret prindin për arsye të caktuara, e para lidhet me një dhunë kronike. Që nga foshnjëria deri në momentin e aktit, fëmija mund të jetë përballur me dhunë, fizike, psikologjike, mund të jetë fakti që s’janë dëgjuar asnjëherë. Janë shumë arsye dhe dimensione të gjësë për të kuptuar arsyet pse kemi të bëjmë me vrasje. Por kemi të bëjmë me vrasje në gjakftohtësi dhe në grup nga fëmijët. Kemi të bëjmë me një krim shumë gjakftohtë, ndoshta tamam makabër. Kemi të bëjmë me një rast tepër kompleks dhe arsyet jam e sigurt se janë më shumë se ato që ne mendojmë”.

E pyetur mbi rolin e nënës në familje, Dine thotë:

"Historiku lidhet edhe me gjithë psikologjinë e gjësë, sepse mund të kemi të bëjmë edhe me trauma nga nëna. Nuk kemi të bëjmë me një krim të ri, por me një krim që ka qenë ekzistent dhe ne kalojmë në një historik krimi. Ndoshta kjo e ka bërë më të lehtë faktin pse duhet të arrihet te një krim tjetër. Nuk di se sa nëna ishte vunerabël në atë marrëdhënie në shtëpi, apo ishte kundërshtuese ndaj dhunës që bashkëshorti ushtronte në shtëpi. Duhet të kuptojmë nëse nëna s’ka pasur fuqinë, forcën fizike dhe mendore për ta kundërshtuar, për ta denoncuar, për të pasur një divorc. Të gjithë personat në atë shtëpi s’kanë qenë të qetë psikologjikisht. Te të gjithë ndoshta shtëpia ishte bërë vendi më i padëshirueshëm për të shkuar. Nëna me siguri ka qenë më afër fëmijëve, në mbështetjen e saj, në empatinë, ndjesinë amësore. Nëna sikurse ishte edhe bashkëpunëtore e fshehjes së krimit, padiskutim që ka dijeni, por janë fëmijët ata që po mbrojnë nënën e tyre, në mendimin tim, për të mos u cenuar ajo dhe për të mos pasur asnjë lloj marrje në gjykatë, apo asnjë indicie që lidhet me krimin në tërësi”, tha Dine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat