Ina Rama: Nuk përfshihem në politikë. Kërkesë KLD për emërimin si gjyqtare në Apel

Shqipëria

Ina Rama: Nuk përfshihem në politikë. Kërkesë KLD për emërimin si gjyqtare në Apel

Më: 3 mars 2013 Në ora: 19:57

Ish-kryeprokurorja Ina Rama duke reaguar pas deklarates se PD-se ka hedhur poshte pretendimin per perfshirje te saj ne listat e PS-se si kandidate per deputete.
Ne nje deklarate per mediat, Ina Rama hedh poshtë çdo mundësi për tu përfshirë në politikë, duke theksuar se synimi i saj është të vijojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Ajo njofton se për të përmbushur këtë synim ka depozituar në KLD kërkesën për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin e saj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit, Tiranë.
“Pas përfundimit të ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në mesin e muajit janar, kam paraqitur zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin tim si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Për këtë kërkesë gjithashtu kam bërë me dije zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës, Z. Bujar Nishani. Kjo kërkesë është mbështetur në garancitë që jep neni 7 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, për Prokurorin e Përgjithshëm që mbaron mandatin e tij kushtetues dhe në faktin që para kësaj detyre, kam ushtruar funksionet e gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Neni 7/1.3 i ligjit parashikon se “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.”- thuhet ne deklarate.
Sipas saj, ish kryeprokurorja thekson se “përtej të drejtave që jep ligji i mësipërm, kjo kërkesë mbështetet në vullnetin tim për të vazhduar dhe ndjekur profesionin tim, brenda sistemit gjyqësor, pjesë përbërëse e të cilit kam qenë që nga fillesa e karrierës time”.
“Këto fakte tregojnë qartë për mungesën e interesit tim për tu përfshirë në ndonjë projekt politik dhe për ekzistencën e plotë të dëshirës sime për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë. Për më tepër mbetem në pritje që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim lidhur me kërkesën që kam paraqitur.”- thuhet me tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat