Muzeu i forcave të armatosura/ Armë, avionë, tanke e pajisje ushtarake në 6 pavione

Shqipëria

Muzeu i forcave të armatosura/ Armë, avionë, tanke e pajisje ushtarake në 6 pavione

Më: 9 mars 2024 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

“Në Bërzhitë ndodhet muzeu më i ri i forcave të armatosura të Shqipërisë, qe administrohet nga ministria e mbrojtjes. Muzeu është dëshmi e historisë së ushtrisë shqiptare”.

Dikur repart ushtarak, muzeu shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh, ku janë të ekspozuar rreth 1100 objekte.

Pjesa me e veçantë është pjesa e jashtme, ku ndodhet artileria e rënde, mjetet e blinduara, flota ajrore dhe detare, që tashme janë relikë.

Vetëm në pjesën e jashtme janë 110 objekte të rënda luftarake të periudhës komuniste, të cilat prej vitesh janë jashtë funksionit.

Qitjet e fundit me këto raketa janë bërë në vitin 1996.

“Gjatë periudhës së komunizmit kishim 1100 mjete të blinduara, tanku t34. Këto ishin objekte të ardhura nga bashkimi sovjetik, pas prishjes së marrëdhënies, ushtria u furnizua me mjete kineze dhe u sollën shumë tank59. Forca ajrore përbëhej nga 240 mjete luftarake, duke filluar nga mig 15, më pas mig 17 dhe mig 19.”

Tashmë relikë në muzeun e Bërzhitës është edhe avioni më modern që ka pasur ndonjëherë shteti shqiptar Mig 21, i prodhuar në Kinë, një investim i kushtueshëm i diktaturës, por që nuk sulmoi asnjëherë armikun.

“Fatmirësisht nuk është dashur asnjëherë që këta avionë të përdoreshin për luftë. Janë përdorur vetëm për stërvitje. Avioni ka një shpejtësi prej 2200 km në orë. Gjatë stërvitjeve shumë pilotë kanë humbur edhe jetën”.

“Përveç avionëve Shqipëria kishte edhe në flotën e vet ajrore edhe lloje të ndryshme helikopterësh. Ky është avioni BO 105 i prodhuar në Gjermani, i ardhur vonë në shtetin shqiptar. Është përdorur nga forcat e rendit dhe gjatë patrullimit në zonën e veriut për parcelat e hashashit është sulmuar dhe i ka akoma shenjat e plumbave”.

“Këtu kemi një nga helikopterët kryesorë të ushtrisë shqiptare të përdorur nga vitet 60 deri vonë. Ky lloj helikopteri është përdorur gjatë elektrifikimit të vendit, duke çuar në vende të vështira shtylla dhe tela korrenti.”

Avionët luftarakë nuk fluturuan më që pas aksidentit të Rinasit në vitin 2004, ku humbi jetën një pilot gjatë stërvitjes.

“Këtu është kabina e avionit mig 19. Në rast se avioni qëllohej nga një avion tjetër do shtypte levën në dhe nëpërmjet parashutës do shpëtonte. fillimisht pilotët shkonin student në BS dhe në vitin 1962 u hap shkolla e aviacionit në Vlorë”.

Në ambientet e brendshme të muzeut ruhen mjete të ndryshme të flotës ajrore dhe detare.

“Këto dy bombat këtu janë stërvitore të ndërtuara me beton. Këtu është tabela që tregonte vendndodhjen e avionit, jepeshin koordinatat”.

Rreth 90% të objekteve në muze i përkasin periudhës se diktaturës, ku iu kushtua një rëndësi e madhe organizimit ushtarak.

“Këtu jemi te dy lloj armësh pushka shqiptare e quajtur 10 korriku, modeli 56 sipas modelit kizë. Ndërsa ky automatiku. Këtu jemi me kallashnikovin, të prodhuar në uzinën e Poliçanit. Shumë qytetarë që vinë kanë nostalgji sepse e kanë montuar dhe çmontuar. Këtu jemi përballë hartës së bunkerizimit. Pas daljes nga traktati i Varshavës, diktatori u bë me paranoja për një sulm nga armiqtë, nisi bunkerizimi, i gjithë vendi me bunker. U ndërtuan rreth 170 mijë bunker nga 220 mijë të parashikuar”.

Në muze ruhen edhe armatimet e luftës së dytë botërore.

“Do veçoja këto objektet këtu, janë britanike, janë hedhur nga avioni me parashutë, britanikët luajtën rol të rëndësishëm jo vetëm në krijimin e brigadës së parë partizane por edhe me furnizimin me armatim. Ndërsa këtu kemi armë trofe, që i janë marrë ushtrisë italiane dhe gjermane”.

Një pavijon i veçantë është për armatimet antike, mesjetën, periudhën e rilindjes kombëtare, deri tek mbretëria e Ahmet Zogut, ku u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar.

“Këtu jemi në periudhën e Skënderbeut, do veçoja këtë topuzin e drurit, në mungesë të një arme do përdorej çdo mjet rrethanor. Pastaj kalojmë në periudhën e pashallëqeve, Ali Pashë Tepelenës dhe bushatllinjtë e Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe janë përdorur këto armatime, kemi këto koburet të përdorura të gjitha nga armëtarë shqiptarë. Pastaj kalojmë në periudhën e lidhjes shqiptare të Prizrenit. Këto janë armë të asaj periudhe, pushkë me goditje quhen.  Armatimi kryesor që kishte Shqipëria në periudhën e Zogut ishte Italian dhe austriak.

Shqipëria e anëtare e NATO-s ndodhet e ekspozuar në një pavijon të veçantë.

“Këto janë uniformat aktuale që përdorura nga ushtria sot, forca detare, ajrore dhe tokësore. këtu kemi instilacionin e municione të përdoruara gjatë komunizmit. I kemi vendosur në pavijonin e NATO sepse lidhet me demontimin që u krye falë ndihmës së vendeve aleate”.

Ndërtimi i muzeut nisi në vitin 2019 dhe ka përfunduar disa muaj me pare. Më parë mjetet luftarake relikë ndodheshin ne oborrin e ministrisë së Mbrojtjes. Muzeu është vendosur në një zonë të bukur kodrinore, buzë rrugës ne fshatin Berzhitë të Tiranë. Ky  pozicion e bën atë të kapshëm nga çdo vizitor që ka interes të njihet me historinë e armatimeve shqiptare ndër shekuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat