KLSH: PPP risk për buxhetin publik, rrisin ekspozimin ndaj financimeve

Shqipëria

KLSH: PPP risk për buxhetin publik, rrisin ekspozimin ndaj financimeve

Më: 12 prill 2024 Në ora: 18:14
Foto ilustrim

Kontratat koncesionare dhe detyrimet e prapambetura të pallogaritura në borxhin dhe çështjet e arbitrazhit kërcënojnë transparencën dhe buxhetin shtetëror.

Në raportin mbi përputhshmërinë të objektivave me realizimet buxhetore, KLSH evidenton se për një sërë entesh publike të qeverisjes qendrore dhe vendore, ka një trend rritës të përdorimit të PPP-ve, të cilat paraqesin një risk fiskal.

Kontratat koncesionare, sipas autoritetit të auditimeve, ekspozojnë autoriteteve publike ndaj financimeve për të plotësuar pagesat e këtyre kontratave, duke renduar kështu barrën fiskale të qytetarëve.

“Rritja e shpenzimeve për kontratat koncesionare/PPP nga viti në vit përbën një risk fiskal për buxhetin, për më tepër që në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet. Gjithashtu duke qenë se këto kontrata koncesionare/PPP janë me mbështetje buxhetore dhe koncesionari nuk ka përgjegjësi apo angazhim financiar, këto shpenzime nga ana e buxhetit të shtetit janë një borxh i fshehur për vitet në vijim”, thotë KLSH.

Gjithashtu, sipas KLSH, akumulimi i detyrimeve të prapambetura ndaj koncesionarëve, nuk përfshihet në përllogaritjen e borxhit publik në raportet statistikore, duke pasqyruar kështu një vlerë të nënvlerësuar dhe jo real.

Auditi i lartë i shtetit vlerëson se mungesa e një analizë mbi shkaqet, nivelin dhe shtimit e këtyre detyrimeve pengon mundësinë e nxjerrjeve të konkluzioneve të sakta dhe dhënien e rekomandimeve sa më të përshtatshme.

Detyrimet e prapambetura, sipas raportit, paraqesin një risk fiskal, jo vetëm për treguesit buxhetor të institucioneve përgjegjëse, por edhe në nivel makroekonomik, pasi pavarësisht se këto detyrime nuk llogariten dhe nuk regjistrohen në treguesit e borxhit publik, e nënvlerësojnë këtë të fundit, duke qenë se janë detyrime të cilat do të shlyhen në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat