“Sulmet ndaj SPAK duhet të ndalen”, deputeti i PD kundër Metës: Kush mendon se është i pafajshëm, duhet të jetë i qetë

Shqipëria

“Sulmet ndaj SPAK duhet të ndalen”, deputeti i PD kundër Metës: Kush mendon se është i pafajshëm, duhet të jetë i qetë

Më: 16 prill 2024 Në ora: 21:33
Foto ilustrim

Deputeti demokrat Dashnor Sula, përmes një reagimi në Facebook është shprehur se sulmet ndaj SPAK duhet të ndalen.

Së fundmi ka qenë ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili nuk i ka kursyer kritikat dhe sulmet ndaj SPAK dhe kreut të saj, Altin Dumanit.

Deputeti i PD tha se fakti që sulmet ndaj SPAK janë shtuar shumë së fundmi, tregon se drejtësia e re po depërton tek ata që janë konsideruar të paprekshëm.

Sula u shpreh se kushdo që mendon se është i pafajshëm dhe s’ka abuzuar me pushtetin duhet të jetë i qetë të përballet me drejtësinë.

Reagimi i plotë:

Sulmet ndaj SPAK duhet të ndalen!

Në 2016, reforma në Drejtësi mori 140 votat e deputetëve. U duartrokit nga të gjithë. Me kalimin e viteve, drejtësia e re ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve.

SPAK dhe GJKKO gëzon për momentin përqindjen më të larte të besueshmërisë nga qytetarët.

Të gjithe jemi të vetëdijshëm se drejtësia e re mund të bëj më mirë. Por që drejtësia të bëj më mirë, duhet të ndalim një orë e më parë sulmet ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj.

Fakti që sulmet ndaj SPAK janë shtuar shumë së fundmi, tregon se drejtësia e re po depërton tek ata që janë konsideruar të paprekshëm.

Drejtësinë e reformuar ndaj e kërkuam në fakt: të depërtojë tek të “paprekshmit”. Por menjëherë sapo krijohet perceptimi se po kalohen hendeqet, javët e fundit kanë nisur sulme nga të gjitha anët ndaj SPAK.

Kjo është e patolerushme. Kushdo që mendon se është i pafajshëm dhe s’ka abuzuar me pushtetin duhet të jetë i qetë të përballet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat