Volonte: Ka parti që mund ta shfrytëzojnë dorëheqjen e anëtarëve të KQZ

Shqipëria

Volonte: Ka parti që mund ta shfrytëzojnë dorëheqjen e anëtarëve të KQZ

Më: 14 qershor 2013 Në ora: 12:17

Dorëheqja e tre anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të jetë pjesë e një skenari të parapërgatitur për mos njohjen e rezultatit të zgjedhjeve. Ky është përfundimi ku mbërrin drejtuesi i delegacionit të Këshillit të Europës, Luka Volonte, pas vizitës në Tiranë.

Kur mbeten pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, shtohen gjithnjë e më shumë thirrjet e ndërkombëtarë drejtuar partive politike, për të zgjidhur situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një intervistë për Dojçe Vele, kreu i delegacionit të Këshillit të Europës, që vizitoi pak ditë më parë Tiranën, vlerëson se rrezik për procesin zgjedhor tërheqjen e tre anëtarëve të KQZ.

“Vendimi i disa partive për të dhënë dorëheqjen nga KQZ është një rrezik real, objektiv për funksionimin e KQZ. Ndërkohë Kodi Elektoral, ligji zgjedhor ka dispozita që e lejojnë KQZ të marrë vendime edhe me 4 anëtarë, por jo vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar”

Pa përmendur emra partish, Volonte thotë se ato mund ta përdorin përbërjen e cunguar të KQZ, për të sulmuar procesin dhe për të mos pranuar rezultatin.

“Nga vizita në Tiranë kemi kuptuar se dikush, nuk po përmend emra nga asnjë prej partive politike, mund ta përdorë dorëheqjen e disa anëtarëve të KQZ për të pritur përfundimin e zgjedhjeve dhe ta përdorë këtë dorëheqje për të zhvlerësuar procesin dhe mos pranuar rezultatin. Ne këtë nuk e pranojmë. Sigurisht që organizmat e pavarura institucionale duhet të funksionojnë me të gjithe anëtarët dhe secili prej tyre duhet të përmirësojë kredibilitetin e institucionit dhe jo të përdorë mungesën e kredibilitetit për të protestuar në rrugë dhe sheshe. Përmes tyre nuk fitohen zgjedhjet”

Zyrtari i lartë i Këshillit të Europës, thotë se gjatë kësaj periudhe KQZ ka marrë vendime mjaft të mira. Po ashti ai evidenton si pozitive bashkëpunimin jo zyrtar mes përfaqësuesve të të gjitha partive politike, qofshin ose jo anëtarë të KQZ, si dhe përqendrimin e partive gjatë fushatës në programe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat