Presidenti Nishani dekoroi Komunën Kelmend “Nderi i Kombit”

Shqipëria

Presidenti Nishani dekoroi Komunën Kelmend “Nderi i Kombit”

Më: 11 gusht 2013 Në ora: 17:13

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në “Logun e Bjeshkëve”, veprimtarinë e përvitshme ku ishin tubuar qindra banorë të Kelmendit, të Malësisë së Madhe, Kosovës, shqiptarë nga Mali i Zi e shumë të tjerë nga diaspora.
Kelmendasit përshëndetën vizitën e Presidentit Nishani, si të parën vizitë që një kryetar i shtetit shqiptar zhvillon në Kelmend përgjatë gjithë historisë.
Prania e Presidentit të Republikës në festën e këtij viti në “Logun e Bjeshkëve” kishte për qëllim kryesor dorëzimin e dekoratës “Nderi i Kombit” që kreu i shtetit i akordoi Komunës Kelmend me motivacion “ Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.
Duke vlerësuar “Logun e Bjeshkëve”, si një markë të etnicitetit, etnografisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Nishani theksoi se në kushtet e globalizmit, identitetet kulturore nëse janë të forta dhe arrijnë të kultivohen, spikasin dhe mund të dalin në pah më shumë se më parë.
“Nëse do të kishim për zemër fatet e kultures shqiptare dhe fatet e formimit të pasardhësve tanë, duhet që jo vetëm t’u bëjmë një jehonë manifestimeve të tilla artistike, etnografike dhe patrotike si “Logu i Bjeshkëve”, por duhet t’u bëjmë një lexim edukativ, informues dhe tendenc zhbirues”.
Në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”, Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare.
“Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte lirshëm fjalën e saj, madje dhe votonte. Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.
Ndërsa e filloi kuvendimin e tij me kelmendasit duke u prezantuar të bijën, Fiona, të veshur në shenjë respekti dhe admirimi me një kostum popullor të kësaj krahine, Presidenti Nishani ndoqi së bashku me familjen e tij të gjithë manifestimin “Logu i Bjeshkëve”, në fund të të cilit u përshëndet ngrohtësisht dhe bisedoi nga afër me banorët e Kelmendit dhe të ftuarit e tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat