Programi, Ristani: Demagogji fund e krye, në mos janë mashtrues, janë të paaftë

Shqipëria

Programi, Ristani: Demagogji fund e krye, në mos janë mashtrues, janë të paaftë

Më: 12 shtator 2013 Në ora: 22:59

Ishte eventi më i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, por që u shfrytëzua për të derdhur mllef ndaj opozitës. Kështu konstaton deputeti demokrat Arben Ristani, ndërsa i referohet prezantimit të programit qeverisës dhe kabinetit të tij qeveritar vetëm një ditë më parë në parlament. Ristani theksoi se opozita u ndje e fyer dhe në shenjë proteste ndaj gjuhës së komunikimit të përdorur nga Kryeministri Rama braktisi edhe sallën e Kuvendit.
“Eventi ishte me shumë interes, prezantohej programi dhe kabineti qeveritar për katër vitet e ardhshme për Shqipërinë. Sa i përket opozitës, nisi pak jo ashtu siç pritej, nuk kishim në dispozicion programin, e kërkuam , nuk u bë e mundur më pas u njoftuam se nuk do na lihej kohë ta shihnim. Pas negociatash dhe presioni demokratik nga PD, u bë e mundur të na vihej në dispozicion programi dhe koha për ta shqyrtuar. U mblodhëm në sallë dhe në vend të programit ai përqëndrua në sulmin ndaj opozitës, sulmeve individuale ndaj ish drejtuesve të nderuar të opozitës. Kjo shkaktoi një lloj fyerje dhe ne u detyruam të dalim në shenjë proteste. Por nuk bëhet fjalë për bojkot, do jemi aty për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Realisht do ishte mirë të ishte program i plotë” tha ai.
Megjithatë për të mbetur konkretisht tek programi, Ristani në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, tha se i gjithë dokumenti i paraqitur fund e krye është demagogji , pa qëllime të qarta, pa faza, pa buxhet dhe me shumë diskordanca.
“Ne jemi të interesuar që Shqipëria të prosperojë, që të ndodhë duhet të ketë program mbi bazën e evidentimit të problematikave, sa do kushtojë rruga drejt arritjes së qëllimit. Janë pjesë të trajtuara po kaq mirë dhe nga një OJQ kur aplikon të marrë paratë nga një donator për projektin e saj. Programi është demagogjik, pa qëllime të qarta, pa faza, pa buxhet dhe me diskordanca. Që nga titulli i programit, Rilindje. Shqipëria e ka pasur një Rilindje. Ky është një vend që ka nevojë të prosperojë por jo ta nisë nga zero. Në një pjesë të programit thotë do vazhdojmë projektin e autoregjistrimit nëpër gjykata, është projekt që është realizuar në pjesën më të madhe në gjykata nga qeveria jonë, ka mbetur një pjesë që shumë mirë bën nëse e vazhdon. Në mos paçim të bëjmë me mashtrues, kemi të bëjmë me njërëz të painformuar dhe të paformuar mire” deklaroi ai.
Duke ju referuar tre premtimeve kryesore të PS gjatë fushatës, uljes së taksave, shëndetësi dhe legalizime falas, Ristani u ndal në mënyrë të veçantë tek taksat, ku sipas tij ka një mospërputhje mes asaj që pretendohet tu hiqet 95% të shqiptarëve dhe asaj që do mbifaturohet mbi 5% e mbetur.
“Detyra jonë është të qartësojmë shqiptarët për këto premtime dhe mënyrën si operohet me to. Por ne jemi aty dhe për ti ndihmuar në mënyrë që vendi të mos shkojë më keq, të përfundojë si Greqia fqinje. Shqipëria vërtet uli ritmet ekonomike, por nuk ra në recesion. Ne jemi aty për të mos i lënë të gabojnë. Sigurisht që shteti do mbahet me taksa, do hiqet taksa e biznesit të vogël, do ulen taksat për 95% të qytetarëve. Por ky 5% që do të rritet, sa do rrite dhe a është në gjendje të mbulojë këtë boshllëk që mbetet nga pjesa tjetër. Sa do tu shtohet këtyre taksa në mënyrë që të përballojë të gjitha këto premtime që janë bërë në fushatë elektorale. Aty thuhet se do ketë një moment zero sa i përket ndërtimeve pa leje, por pa ardhur kjo kanë filluar prishjet dhe shembjet” tha më tej Ristani.
Në vijim të intervistës Ristani u ndal edhe në pika të tjera të programit qeverisës,që të marra në terësi sipas tij nuk thonë asgjë.
“Thuhet tek reforma për drejtësi do ndryshojë ligji për gjykatën kushtetuese dhe vihet pikë, por çfarë, si dhe ku do arrihet? Program është ky? Liria e informimit, ka një ligj Shqipëria, PS thotë se do përcaktohen kriteret se kur nuk do jepet informacioni, ndërkohë që është e specifikuar, janë dy kategori aktualisht. Po çdo kategorizosh më tutje kur janë dy. Politika e jashtme, vizioni ynë thotë do të jetë partneriteti me SHBA dhe BE, po më kë ishte deri dje, me Kinën?” u shpreh Ristani.
Mashtrim të radhës e konsideron edhe premtimin e PS për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, pasi sipas tij vendet e punës gjenerojnë nga biznesi i madh dhe sa kohë atij i rrit taksat përmes progresivitetit, nuk mund të flasim për vende pune.
“Flasim për biznes të vogël që do hiqen taksa dhe do rriten për bizneset e mëdha. Po kush i gjeneron vendet e reja të punës, sigurisht që biznesi i madh, po do ketë mundësi ta bëjë këtë duke i rritur taksat. Sa do jetë tavani i taksës progresive, dhe kur t’ja cosh në 40% a do kalojë sipërmarrësi tek informaliteti, duke mos i kaluar lekët në bankë. Në do të qëndrojmë në kokë të problemeve. Ne nuk presim të vijmë në pushtet duke gabuar kundërshtari, por jemi të vendosur tu hapim sytë shqiptarëve. Ne i kemi arritjet të prekshme, të kapshme. Ne do bëjmë punën që i takon opozitës, me fjalën e saj të bëj të ndërgjegjshëm të gjithë popullin shqiptar për kahjen e zhvillimeve ku po shkon.Nuk është opozitë e fortë ajo që ka numrat të bllokojë, qeverisë nuk i bën asgjë, populli vendoset në vështirësi. Nuk është suksesi ynë të kemi numra për të bllokuar, por aftësi për të dhënë ekspertizë për të ndricuar mendjet e njerëzve. Mënyra si ka nisur nuk është shpresëdhënëse pasi programi nuk është program, është demagogji” përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat